Ademi: Nuk e sulmova Artan Govorin, kjo është e vërteta
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka mohuar se e ka sulmuar fizikisht drejtorin për marrëdhënie me jashtë, Artan Govorin.
Ai nëpërmjet një postimi në profilin e vet në “Facebook” ka bërë me dije se kjo është një e pavërtetë që ka për qëllim dëmtimin e personalitet të tij.
“Të gjitha palët që dëshirojnë të përfitojnë nga inskenimet e tilla, ua bëj me dije se vullneti i 44 delegatëve të Kuvendit të FFK-së nuk mund të ndryshojë me presione e shantazhe dhe as me shpifje të tilla nga njerëz e grupe të interesit”, ka shkruar Ademi, raporton “Epoka e re”.
Postimi i plotë i Agim Ademit:
Miq të dashur,
Sot mediat raportuan me nguti dhe me tituj bombastik për kinse një ekses në FFK. Aty raportohet se, unë, si president i FFK-së, kinse e paskam sulmuar fizikisht drejtorin për marrëdhënie me jashtë, Artan Govorin.
Por, kjo është një tjetër e pavërtetë dhe një tjetër inskenim i atyre që po bëjnë në vazhdimësi shantazhe e gjëra të tilla me qëllim të dëmtimit të imazhit tim dhe njëkohësisht të Federatës, por edhe të procesit zgjedhor në FFK.
Nuk është aspak e vërtetë ajo që po aludohet për ekses dhe për asnjë prekje fizike, thjesht ishte një debat për punët e përditshme në federatë. Për këtë ka dëshmitarë brenda federatës.
Të gjitha palët që dëshirojnë të përfitojnë nga inskenimet e tilla, ua bëj me dije se vullneti i 44 delegatëve të Kuvendit të FFK-së nuk mund të ndryshojë me presione e shantazhe dhe as me shpifje të tilla nga njerëz e grupe të interesit.
Unë do të vazhdoj punën time me ndershmëri dhe nuk do të lejoj të bie pre e shantazhuesve që për qëllim kanë kapjen e FFK-së.
Me respekt,
A.A.



