Ademi: Vetëm FFK-ja mund të organizon gara në Kosovë

03 mars 2019 | 12:11

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka reaguar pas raportimeve të fundit se Serbia do të organizojë zgjedhje në të ashtuquajturën Federatë Serbe të Futbollit për Kosovë.

Numri një i futbollit të Kosovës ia ka rikujtuar Serbisë edhe një herë faktin se FFK-ja i ka ndarë rrugët qysh nga viti 1991 dhe se është organi i vetëm që ka të drejtën e organizmit të futbollit në territorin e Kosovës.

“FFK-ja, ka ndarë rrugët me Serbinë qysh në vitin 1991, ndërsa kjo ndarje është forcuar dhe vulosur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008. FFK-ja tashmë është pjesë me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA dhe është i vetmi organ që ka të drejtën e organizimit të futbollit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Së këndejmi çdo tendencë për të themeluar një të ashtuquajtur Federatë serbe të futbollit për Kosovë për të organizuar gara në futboll, është e papranueshme dhe e konsiderojmë si ndërhyrje të drejtpërdrejtë  në autonominë e FFK-së. Ndaj, FFK-ja nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që një organizatë e tillë ilegale të organizojë gara në territorin e vet”, ka thënë Ademi.

Kryetari Ademi ka kërkuar nga Serbia që të heq dorë sa më parë nga këto veprime, të cilat sipas Ademit, nuk mund ta dërgojnë askund.

Serbia, në këtë kohë po proklamon pajtimin me shqiptarët dhe njohjen e Kosovës, por veprimet e saja flasin të kundërtën e kësaj, madje ajo shkon aq larg sa përpiqet, jo vetëm në aspektin politik, por edhe sportiv ta dëmtojë Kosovën dhe po punon në çdo segment ta defaktorizojë dhe angazhohet  për zhbërjen e shtetit të Kosovës. Kjo nuk do të ndodhë në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim. Ndaj, i bëjmë thirrje Serbisë që menjëherë të heq dorë nga këto veprime, sikur që ftojmë të gjitha organet tona shtetërore, në veçanti MKRS-në dhe KOK-un të reagojnë ashpër për parandalimin e këtyre veprimeve”, ka shtuar  ai.

Kryetari i FFK-së ka kërkuar edhe nga UEFA dhe FIFA të reagojnë ndaj këtij veprimi të Serbisë, kurse ka konfirmuar se Federata e Futbollit të Kosovës është e përkushtuar që të punojë edhe më tutje për përfshirjen e futbollistëve dhe ekipeve serbe në garat e futbollit të Kosovës.

“Sikur, që ne do të reagojmë edhe të dy shtëpitë e futbollit, ajo Evropiane dhe Botërore, pjesë e së cilave është FFK-ja që të ia tërheqë vërejtjen Serbisë që ta ndalojë me këso lloj veprimesh. FFK-ja është e përkushtuar që të punojë edhe më tutje për përfshirjen e futbollistëve dhe ekipeve serbe në garat e futbollit të Kosovës, duke i trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne duam  të besojmë, se të gjitha institucionet e Kosovës politike dhe sportive do t’i ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për parandalimin e veprimeve të tilla, sikur që besojmë dhe shpresojmë se Serbia, do të ndalojë me veprime të tilla edhe për të mirën e komunitetit serb”, ka përfunduar Ademi.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga ora 17:15 në “Goodison Park”, Liverpoolin e pret një…