Adhurim Krasniqi: Liria jonë e ka vulën e sakrificës

27 shkurt 2024 | 13:15

Në manifestimin qendror të organizuar në nderim të 16- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të organizuar nga Dega e Partisë Demokratike në Zvicër, ku kanë marrë pjesë mbi 1 000 bashkatdhetar, me një fjalë rasti para të pranishmëve përpos kryetari të Degës, z. Ragip Xhaka, është paraqitur edhe  nënkryetari i PDK-së për Zvicër, Adhurim Krasniqi.

Krasniqi në fjalimin e tij drejtuar mërgimtarëve ndër tjera tha: “Nëntë vite pas çlirimit të Kosovës, pas një beteje tjetër, tani në rrethana krejt tjera pikërisht me 17 shkurt 2008, Kosova do ta jetësonte mëvetësinë e saj. Dhe ne sot në këtë përvjetor nuk mund ta tejkalojmë atë moment që na mbushi emocione, kur lideri ynë historik, kryeministri dhe presidenti Hashim Thaçi, duke ndjerë të rrahurat e zemrës së stërgjyshërve tanë, në veshët tanë do ta lexonte togfjalëshin e shumëpritur;

“Ne udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpër mjet kësaj deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur, sovran e demokratik“.”.

Fjalimi i plotë i nënkryetarit të PDK-së në Zvicër, Adhurim Krasniqi:

Të nderuara motra, të nderuar vëllezër!

Mirë se keni ardhur në këtë ngjarje të parvjetshme,  e 16- ta me radhë!

Jemi mbledhur sot këtu në Birr të Aargaus, në vendin ku u morën vendime të rëndësishme nga djemtë e lëvizjes ilegale të kohës.

Nga helvetikja e Wilhem Tellit, bijtë e Kosovës, të mërguar me dekada, ideuan dhe projektuan, projektin më madhor të shqiptarëve; Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Unë nuk jam këtu t’ia bëj gjyqin asnjë shqiptari, ndryshe do e gjykoja edhe  rrjedhën e historisë shekullore , por se ç’na zu një gjumë letargjik  dhe si në gjendje ireale po ëndërronim se liria do pikte nga qielli  apo do vinte në një mëngjes bashkë me diellin!!!

Prandaj shumë baballarë të kësaj rinie që janë këtu me ne, ish të burgosur të kohës e të përvëluar për atdheun dhe fatin e tij, i thanë JO kësaj gjendje.

Nën emblemën e shenjt të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dalzotëses sonë, në krye me Komandantin Legjendar Adem Jasharin, e thyen mitin e rremë të Jugosllavisë kinse të pamposhtur.

Ëndrra jonë ishte e përgjakur!

Ishin shekuj e breza të tërë, më saktë një popull i terë, siç e dimë të gjithë, po persekutohej, burgosej e vritej pa mëshirë; në pragun e vet, në sofrën  e vet, ne dasmën e vet, në mortin e vet, po  vritej në shkolla, universitete, në vende pune, në mërgim e ku jo?!

Pas luftës çlirimtare dhe triumfit tonë mbi okupatorin njëqind vjeçar, në qershor 1999, populli shqiptar i Kosovës martire më në fund po e jetonte lirinë.

Liria jonë kishte vulën e sakrificës.

Kishte gjakun e Prekazit, Abrisë, Likoshanit e Qirezit.

Kishte Reçakun, Studimen, Mejën dhe shumë e shumë vend monumente që mbeten vulë e gjakut në themelin e lirisë sonë.

Të nderuar të pranishëm!

Bashkëkombës të mi!

Nëntë vite pas çlirimit të Kosovës, pas një beteje tjetër, tani në rrethana krejt tjera pikërisht me 17 shkurt 2008, Kosova do ta jetësonte mëvetësinë e saj.

Dhe ne sot në këtë përvjetor nuk mund ta tejkalojmë atë moment që na mbushi emocione, kur lideri ynë historik, kryeministri dhe presidenti Hashim Thaçi, duke ndjerë të rrahurat e zemrës së stërgjyshërve tanë, në veshët tanë do ta lexonte togfjalëshin e shumëpritur;

“Ne udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpër mjet kësaj deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur, sovran e demokratik“.

Me 17 shkurt ëndrra për REPUBLIKË, u bë e jetueshme, prekshme dhe ne po ndjeheshim krenarë.

U bëmë dy shtete, të një populli, të një gjuhe e një flamuri.

Partia Demokratike e Kosovës po e qeveriste vendin dhe me vizionin e saj po i plotësonte gjitha elementet shtetërore.

Kjo dikujt nuk po i shkonte për shtati.

Suksesi ynë po e pengonte jo vetëm armikun shekullor tonin, por edhe disa shpirtshitur që herët kishin filluar gjahun e shtrigave.

Bën e ç‘bën dhe na e imponuan krijimin e një gjykate për UÇK-në.

Dhe sot djemtë që e bartën mbi supe procesin e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, po e zhvillojnë betejën e tyre të fundit për pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe Kosovën.

Nga këtu, sot në këtë 16-të vjetor, me zemër e shpirt iu çojmë të fala bijve tanë luftëtarë, duke i siguruar se në këtë betejë nuk janë vetëm.

Historia nuk rishkruhet! Historia i ka akterët e vet, ata që koha i vendosi në panteonin e krenarisë kombëtare.

Në përvjetorin tjetër, besojmë fuqishëm se djemtë tanë do të jenë në liri.

Shqiptarët e duan dhe e çmojnë kontributin e atyre që dhanë për Kosovën.

Mërgata mbetet fuqishëm krah idealeve kombëtare.

Kjo dëshmohet edhe sot në këtë tubim kaq madhështor.

Deri në festat tjera mirë u takofshim e shumë faleminderit në këtë pjesëmarrje.

Faleminderit!

Adhurim Krasniqi, Nënkryetar i degës së PDK-së, Zvicër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në nëntor të vitit 2021, Sergio Aguero u detyrua të…