AGK: Gjuhë e rrezikshme e ministrit Sveçla ndaj gazetarëve

15 korrik 2023 | 14:47

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili lidhi gazetarët me “luftën hibride” të presidentit serb Vuçiq.

Për këtë, AGK thotë se e ka parë me shqetësim “një postim të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në të cilin ai përdor gjuhë të rrezikshme dhe të papranueshme në drejtim të mediave dhe gazetarëve”.

“Ministri Sveçla insinuon se audio-incizimet e Shefes së Grupit Parlamentar të partisë së tij, Mimoza Kusari Lila me ish-deputetin e Srpskas, Simiq u janë dhënë medieve kosovare nga presidenti serb, Vuçiq. Ministri gjithashtu akuzon gazetarët Berat Buzhala dhe Vehbi Kajtazi për organizimin e protestës së veteranëve. Gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediet”, ka shkruar AGK.

“Luftë hibride” të Vuçiqit, Sveçla e ka cilësuar publikimin e audio-incizimeve të Shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq dhe protestën e paralajmëruar të veteranëve të UÇK-së, pasi s’u përfshinë në Ligjin për pagën minimale.

“Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit. Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë. Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”, ka shkruar Sveçla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, ka bërë thirrje…