AGK-ja reagon pas largimit të Arlinda Sejdës nga RTK-ja: Erdhi si pasojë e presionit politik

30 qershor 2026 | 16:14

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas dorëheqjes së gazetares Arlinda Sejda nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), duke shprehur keqardhje për largimin e saj dhe duke e lidhur atë me, siç thuhet, presionin e vazhdueshëm politik në transmetuesin publik.

Përmes një reagimi publik, AGK-ja ka vlerësuar se largimi i Sejdës është konfirmim i kapjes së RTK-së nga menaxhmenti, të cilin e lidh drejtpërdrejt me qeverinë dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

“AGK-ja shpreh keqardhje për largimin e Sejdës nga RTK dhe e sheh këtë akt si konfirmim të kapjes së këtij institucioni nga menaxhmenti i lidhur drejtpërdrejt me qeverinë dhe partinë politike në pushtet, Vetëvendosje. Largimi i Sejdës dhe largimi i emisioneve të disa gazetarëve e redaktorëve ndodhin si pasojë e politikave menaxhuese që ndëshkojnë dhe përndjekin këdo që synon t’i respektojë parimet themelore të etikës së profesionit”, është thënë në reagim.

Sipas AGK-së, RTK-ja është shndërruar prej kohësh në një mjet propagandues të Vetëvendosjes përmes politikave redaktuese që, sipas saj, censurojnë zërat kritikë brenda dhe jashtë mediumit.

Asociacioni ka theksuar se rënia e lirisë së medias në Kosovë, e dokumentuar edhe në raporte ndërkombëtare, lidhet me kontrollin politik dhe financiar të RTK-së nga qeveria.

AGK-ja ka shprehur solidaritet me gazetaren Arlinda Sejda dhe me gazetarët e redaktorët e RTK-së, të cilët, sipas saj, vazhdojnë të përballen me presione gjatë ushtrimit të profesionit.

Në fund, AGK-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalin presionin politik dhe financiar ndaj RTK-së, ndërsa Bordit të transmetuesit publik i ka kërkuar të mos qëndrojë indiferent, por të kërkojë llogari nga menaxhmenti dhe të sigurojë që raportimi të jetë në shërbim të interesit publik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sharr Travel, kompania më e madhe turistike në Kosovë, ka…