Ahmeti: Futbolli i Kosovës është në rrugë të duhur

17 gusht 2018 | 13:26

Ish-lojtari i Prishtinës, Azem Ahmeti, ka vlerësuar se futbolli i Kosovës është në rrugën e duhur, por mendon se institucionet përgjegjëse duhet të punojnë më shumë në rregullimin e infrastrukturës.

Një nga lojtarët më të mirë në futbollin e pasluftës është Azem Ahmeti, i cili sukseset më të mëdha i arriti në skuadrën e Prishtinës, duke qenë kapiten dhe “motor” i lojës së këtij klubi për shumë vjet me radhë. Në fakt, Ahmeti luajti tetë vjet për skuadrën e Prishtinës, më pas u largua në mënyrë jo të mirë edhe përkundër faktit se kontributi i tij ishte i madh.

Azem Ahmeti për “Epokën e re” ka thënë se futbolli i Kosovës është në rrugën e duhur por, sipas tij, ndeshja finale e Superkupës e ka dëshmuar edhe një herë se investimi në infrastrukturë është i domosdoshëm.

“Futbolli ynë që nga pranimi në UEFA dhe FIFA është duke ecur në rrugën e duhur dhe me hapa të mëdhenj, por duhet me shumë investime në infrastrukturë. Ndeshja finale e Superkupës dëshmoi se infrastruktura është elementi kryesor në ngritjen e cilësisë në futboll dhe pikërisht në këtë ndeshje patëm mundësinë të shohim lojë më të shpejtë sesa që shohim zakonisht nëpër terrenet tona. Fusha u jep mundësi të dyja skuadrave ta qarkullojnë më mirë topin dhe t’i shfaqnin cilësitë e tyre, por edhe pamja e stadiumit dhe tifozët në numër të madh ndikojnë në ngritjen e cilësisë për faktin se loja e futbollit zhvillohet për ta”, ka thënë Ahmeti.

Aktualisht mesfushori nuk është duke i zhvilluar përgatitjet me skuadrën e Flamurtarit. Ai nuk dha shumë detaje, por la të kuptohet se ka mosmarrëveshje me këtë klub dhe se deri në janar mund të mos luajë asnjë ndeshje. “Kam kontratë me klubin e Flamurtarit deri në janar, pastaj të shohim se si do të vendos për të ardhmen time”, ka shtuar Ahmeti.

Futbollisti që ka bërë karrierë në Prishtinë, Flamurtar, Hajvali dhe Gjilan, ka thënë se në të ardhmen mund të merret me zejen e trajnerit. “Pasi ta mbylli karrierën si futbollist do të jetë një mundësi e mirë ta vazhdoj karrierën në lidhje me futbollin. Nuk kam vendosur ende diçka, por me gjasë do të merrem me zejen e trajnerit që mendoj se është mjaft tërheqëse dhe sfiduese”, ka deklaruar Ahmeti.

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem…