Ahmeti i reagon Haradinajt

17 prill 2019 | 12:11

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj deklaratës se kryeministrit Ramush Haradinaj se Qeveria do të ndajë mjete financiare për rindërtimin e katedrales Notre Dame në Paris, e cila është shkatërruar nga zjarri.

Ahmeti në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se këto mjete do të ishte më mirë të destinohen për rastet në nevojë në Kosovë.

Postimi i plotë i Ahmetit:

Qeveria e Kosovës paska ndarë mjete për katedralen e Notre Dame. Përderisa kjo tragjedi ka prekur gjithë botën e edhe Kosovën, po ashtu ka ngjallur edhe solidaritet gjithandej. Duke parë lajmet botërore shihet që paratë nuk do të jenë problemi i riparimit të katedrales, e cila me shpresë do të rinovohet shpejtë.

Fondet të cilat Qeveria i ka ndarë do të ishte mirë t’i ridestinojë për strehim dhe renovim të shtëpive të disa rasteve të rënda sociale. Së fundmi kemi pas disa djegie të shtëpive në disa komuna si pasojë e fatkeqësive dhe familjet nuk kanë mundësi me i riparuar. Për komunë të Prishtinës mund të ofrojmë informata.

Francës ia kemi dëshmuar miqësinë dhe solidaritetin dhe besoj se e dinë që e kemi sinqerisht dhembjen, dhe kjo nuk përmirësohet me para. Por, qytetarit tonë, shteti ka nevojë të ia tregojë edhe solidaritetin edhe përkujdesjen.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar një konferencë për shtyp…