Ahmeti: Ushtria e Kosovës, themel i paqes dhe stabilitetit në rajon

14 dhjetor 2018 | 15:20

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka përgëzuar Kosovën për formimin e ushtrisë.

Ai ka thënë se ushtria e Kosovës është edhe një themel i paqes dhe stabilitetit të gjithë rajonit.

“Sa shumë sakrificë, sa shumë ëndrra, sa shumë përpjekje, sa shumë martirizim ndër shekuj për të ardhur deri të këto ditë të lirisë, pavarësisë, të ushtrisë, të barazisë dhe të perspektivës. Ushtria e Kosovës është edhe një themel i paqes dhe stabilitetit të gjithë rajonit tonë me perspektivë euroatlantike dhe që nga sot, jo vetëm Kosova, por e gjithë Evropa Juglindore përfiton edhe një aleat në betejën e ndërtimit të kapaciteteve demokratike perëndimore në vendet tona, të denja për integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se demarkacioni i kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, njohja e ndërsjellë, hapja e bisedimeve aderuese për në BE të Maqedonisë dhe Shqipërisë, anëtarësimi jonë në NATO dhe zbatimi i Marrëveshjes së Prespës, bashkë me sundimin e së drejtës në vendet tona, janë sfidat para nesh.

“Të gjithë ne që ndajmë vlerat e njëjta dhe kemi synim identik për barazi, drejtësi dhe integrim euroatlantik të vendeve tona, duhet ta ndihmojmë njëri tjetrin duke ia zgjatur dorën fqinjit gjatë këtij rrugëtimi”, është shprehur ai.

Duke kujtuar dëshmorët ndër dekada, martirët, veteranët, veprimtarët, patriotët, Ahmeti ka uruar qytetarët për këtë të arritur monumentale.

“Shpreh mirënjohjen time edhe ndaj aleatëve tanë që qëndruan mbështetës ndaj së drejtës dhe në vazhdimësi na dëshmojnë dhe vërtetojnë që jemi në rrugë të drejtë dhe në anën e duhur të historisë”, ka deklaruar Ahmeti.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas një raportimi të publikuar së fundmi nga ‘The New…