‘AKA-ja do të rikthehet në ENQA dhe EQAR brenda një periudhe të shkurtër’

16 qershor 2022 | 12:07

Presidenti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), Karl Dittrich, ka thënë se Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) do të kthehet shpejt EQAR dhe Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Në një konferencë për media, pas takimit me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ai është shprehur i bindur për rikthimin e AKA-s në këto dy organizata.

“Është kënaqësi të jem sërish në Kosovë pas momentit tragjik që e kishim më 2018 kur AKA-ja u largua nga ENQA-ja dhe EQAR-i. Ne kemi ardhur këtu dhe kemi diskutuar me anëtarë të Komisionit për arsim, me shoqërinë civile si dhe me institucionin qendror. Ne jemi absolutisht të bindur se me punën që është duke u bërë, AKA-ja do të kthehet në ENQA dhe EQAR në një periudhë të shkurtër. Ne jemi optimist dhe e inkurajojmë AKA-në të punojë që të bashkohet në organizatat evropiane”, ka thënë ai.

Ndërsa ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se është meritë e qeverisë që ka arritur ta afrojë rikthimin e AKA-s në ENQA dhe EQAR.

“Ne kemi garantuar si institucion pavarësinë institucionale të Agjencisë për Akreditim. Kemi finalizuar Ligjin për AKA-në dhe konsideroj se kemi dërguar një draft shumë të mirë të ligjit, të cilin kemi marrë konfirmimin dhe lëvdata edhe nga presidenti i ENQA-s”, ka thënë Nagavci, duke shtuar se kanë siguruar edhe objektin për AKA-në.

“Kemi siguruar objektin për AKA-në dhe kemi planifikuar buxhetin dhe po e ndihmojmë AKA-në për rritjen e stafit, duke eliminuar të gjitha procedurat burokratike të AKA-s. Edhe vetë AKA-ja ka bërë hapa përpara dhe ka zbatuar të gjitha rekomandimet e ENQA-s”, është shprehur Nagavci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari Astrit Gashi që jeton në Suedi përmes një postimi…