
Akademik Bajrami: Rubini me dëshmi autentike rrëzoi konstruksionin e akuzës së montuar nga ZPS-ja
Akademik Arsim Bajrami e ka vlerësuar si historike dëshminë e ish-zyrtarit të lartë amerikan, James Rubin para Gjykatës Speciale.
Ai ka bërë me dije se dëshmia e Rubin përbënte një rrëfim autentik të qeverisë amerikane mbi luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Bajrami ka shkruar në “Facebook” se Rubin ka rrëzuar konstruksionin e akuzës së montuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për të ashtuquajturën “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
“Kjo dëshmi ishte historike, sepse përbënte një rrëfim autentik të Rubin dhe të qeverisë amerikane mbi luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me argumente të fuqishme dhe të pa kundërshtueshme, Rubin rrëzoi konstruksionin e akuzës së montuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për të ashtuquajturën ‘ndërmarrje të përbashkët kriminale’. Gjatë tri ditëve të dëshmisë së tij, Rubin tregoi në mënyrë autentike rolin e presidentit Hashim Thaçi në ndërtimin e paqes dhe krijimin e partneritetit strategjik me NATO-n dhe shtetet perëndimore. Duke qenë një nga anëtarët të delegacionit kosovar në Konferencën e Rambujesë, në cilësinë e këshilltarit ligjor, e vlerësoj se kjo dëshmi do ta bindë trupin gjykues që ta rikthejë procesin gjyqësor në bazamentin e tij real, të mbështetet vetëm në drejtësi dhe të vërtetën që Rubin shfaqi në këto tri ditë”, ka shkruar ai, duke u shprehur optimist edhe për dëshminë e Poll Williams, i cili ka filluar sot.
“Jam i sigurt se edhe miku im në Rambuje, Poll Williams me të cilin kemi punuar bashkë tri javë në Rambuje, do të jep dëshmi autentike për të vërteten e Rambujesë dhe rolit të Thaçit në ketë proces. Nëse synohet një gjykim i drejtë dhe i paanshëm, kam bindjen e thellë – si jurist karriere – se ky proces do të përfundojë me një aktgjykim lirues”, ka shkruar Bajrami.