AKR-ja preferon koalicion me partitë opozitare

31 dhjetor 2020 | 17:13

Kryetari i Kuvendit Aleanca Kosova e Re (AKR), Fatmir Matoshi, ka bërë me dije se kjo parti synon të shkojë në koalicion parazgjedhor në zgjedhjet e parakohshme.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se AKR-ja preferon koalicion me partitë opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje ose Partinë Demokratike të Kosovës.

Megjithatë, ai ka treguar se mundësia ekziston që të ketë bashkëpunim edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas Matoshit, kushti i vetëm i AKR-së për koalicion do të jetë pajtimi për program dhe për të bërë punë të mira për vendin.

“Epoka e re”: Si ka qenë viti 2020 për Kosovën sipas AKR-së?

Matoshi: Padyshim se është një nga vitet më të vështira që nga paslufta. Nuk ishte një vit i mirë e i mbarë për Kosovën sikundër që ishte vit shumë i rëndë për gjithë botën për shkak të përhapjes së virusit Covid-19, i cili, pos dëmeve të mëdha e humbjes së jetëve të njerëzve, solli edhe pasoja të rënda edhe në ekonomi e zhvillim. Ishte një vit me një pasiguri institucionale, me institucione të brishta. Filluam vitin me një qeveri në detyrë, pastaj vendi u qeverisë edhe rreth dy muaj të pranverës po ashtu nga një qeveri në detyrë dhe vitin po e përmbyllim sërish me një qeveri në detyrë, pa president, pa drejtor të AKI-së, pa drejtor të policisë, pa drejtor të ShSKUK-së në kohë pandemie etj. E gjithë kjo jo për koncepte politike e zhvillimore për vendin, por nga etja dhe dëshira për pushtet më të madh të disa liderëve politikë. Kosova u përballë edhe me Gjykatën Speciale e cila, po ashtu, ishte ngjarje e keqe që na ndodhi. Presidenti i vendit, dy ishkryeparlamentarë dhe shefi i deputetëve të partisë më të madhe në vend u privuan nga liria dhe detyrat e tyre institucionale që kishin, për t’u përballuar me akuzat e fabrikuara që rëndojnë mbi ta e që ndërlidhen me kohën e luftës çlirimtare.

“Epoka e re”: Në këtë vit Kosova ka pasur dy qeveri. Cili është vlerësimi juaj për këto dy qeveri jetëshkurtra?

Matoshi: Ashtu si kanë ardhur, njësoj kanë ikur që të dyja, pa lënë ndonjë gjurmë ose punë të mirë të kryer. E keqja e gjithë kësaj është se partitë që drejtuan këto dy qeveri patën ngjalluar shumë shpresë te qytetarët, pastaj për çështje krejt dytësore nuk arritën ta jetësojnë programin e tyre qeverisës. Kjo padyshim se ka pasoja të mëdha për vendin. Duke qenë se e kam drejtuar për një vit e pak muaj Ministrinë e Mjedisit, mund të flas me më shumë kompetencë në këtë fushë. Është një degradim total i njërës prej sferave më të rëndësishme të jetës së qytetarit. Në emër të zvogëlimit të qeverisë është fuzionuar mjedisi dhe planifikimi hapësinor njëherë në Ministrinë e Infrastrukturës e pastaj në atë të zhvillimit ekonomik. Kemi kryer punë jashtëzakonisht të mëdha sa ishim në atë ministri, kemi filluar edhe shumë të tjera që ishin në një fazë mjaft të mirë të zhvillimit të tyre. Me keqardhje them se të gjitha kanë ngecur aty ku i kemi lënë. Patëm filluar një program mjaft të rëndësishëm për krijimin e rezervave të reja ujore në Kosovë, ndërtimin e digave, programet për trajtim të ujërave të zeza, eliminimin e qeseve të plastikës, sistemin e kthimit të depozitave në shishe të plastikës, qelqit dhe aluminit, mbështetje të madhe komunave për grumbullim dhe menaxhim të mbeturinave, që të gjitha kanë ngecur dhe është për keqardhje, po ashtu edhe procesi i trajtimit të ndërtimeve pa leje është plotësisht i harruar. Buxheti për 2020-n dhe ai për 2021-n në këto fusha kanë pësuar rënie drastike, ndërsa është harruar se në rrugën tonë për integrim në BE, mjedisi do të jetë sfida më e madhe për vendin.

“Epoka e re”: Me aktgjykimin e fundit, Kushtetuesja po e çon vendin në zgjedhje. Si e keni parë këtë veprim të Kushtetueses?

Matoshi: AKR-ja asnjëherë nuk i ka komentuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Si subjekt vetë jemi atakuar nga vendime të mëhershme të gjykatës, e që është rasti i presidentit Pacolli, ku ai ishte një viktimë e mosmenaxhimit të mirë të punës në Kuvend dhe zbatimit të Rregullores Punës së Kuvendit, atëkohë z. Pacolli pa asnjë hamendje është larguar nga Presidenca duke dhënë shembullin e një politikani e qytetari të përgjegjshëm të këtij vendi.

“Epoka e re”: Si do të shkojë AKR-ja në këto zgjedhje, e vetme apo me ndonjë koalicion parazgjedhor?

Matoshi: Shpejt do të vendosim, por unë preferoj dhe,duke parë rrethanat politike, besoj se do të jemi pjesë e ndonjë koalicioni.

“Epoka e re”: Me cilat parti preferon AKR-ja të shkojë në koalicion parazgjedhor?

Matoshi: Kemi bashkëpunuar pothuajse me të gjitha deri më sot, qoftë në nivel qendror ose lokal. Sistemi zgjedhor që ne kemi në një formë i kushtëzon bashkëpunimet mes subjekteve politike. Tani me qenë se jemi në opozitë do të ishte më e udhës që të jemi me ndonjërën nga partitë opozitare, LV-në ose PDK-në, por mundësia ekziston që të kemi bashkëpunim dhe koalicion edhe me LDK-në.

“Epoka e re”: Ka ndonjë kusht kjo parti për koalicion?

Matoshi: Këto zgjedhje shpresoj që të ofrojnë zgjidhje për disa sfida që na presin. rkohen 80 vota për zgjedhjen e presidentit qysh në fillim të punës së legjislaturës së re. Normalisht që në situata sikurse kjo kërkohet unitet i subjekteve politike. Kushti ynë i vetëm do të jetë dakordimi për program dhe për të bërë punë të mira për vendin. Tashmë kemi mbetur shumë mbrapa dhe nëse do të dështojmë edhe pas këtyre zgjedhjeve, atëherë zhgënjimi do të jetë vërtet i madh te qytetarët.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kina  ka konfirmuar rastin e parë të variantit të ri…