Aktakuzë kundër Fisnik Ismailit

10 janar 2018 | 13:14

Gjykata Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili për kryerjen e veprave penale “armëmbajtje pa leje” dhe “pengim i personit zyrtar”.

Pas dy shqyrtimeve gjykata ka refuzuar kundërshtimin nga ana e Ismajlit për këtë aktakuzë, e cila lidhet me hedhjen e gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

“Është mbajtur shqyrtimi i parë edhe i dytë, me ç’rast në të parin nuk është pranuar fajësia, ndërsa në të dytin e kemi kundërshtuar aktakuzën me pretendimin që prokuroria nuk ka prova të besueshme me të cilën do të dëshmonte vazhdueshmërinë e aktakuzës, respektivisht dyshimin e vazhduar për dy veprat penale ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘pengim i personit zyrtar’. Gjykata ka sjellë aktvendimin me të cilin është refuzuar kundërshtimi” ka thënë avokati i Ismajlit, Betim Shala për “klankosova.tv”.

Ai gjithashtu ka bërë me dije se lidhur me këtë vendim kanë bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, lidhur me rastin e hedhjes se gazit lotsjellës në Kuvend, ka shpallur fajtorë deputetët Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, të cilët i kishte dënuar me burgim me kusht.

Të akuzuar për këtë rast janë edhe ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, si dhe deputetët Shqipe Pantina, Time Kadrijaj, Glauk Konjufca, Aida Dërguti, dhe Teuta Haxhiu.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Kosovar i Konkurrencës ka nisur procedurë hetimore ndaj operatorit…