Aktakuzë ndaj 12 personave, Prokuroria Speciale: Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit i shkaktuan afro 4 milionë euro dëm buxhetit të shtetit
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim në prokurim dhe falsifikim të dokumenteve, të cilët përmes një tenderi thuhet se i shkaktuan buxhetit të vendit afro 4 milionë euro dëm.
Dy persona të akuzuar, A.M. dhe N.D., janë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Ata akuzohen se “kanë hartuar kritere përzgjedhëse në procedurat e tenderimit”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar “,“Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik“ dhe “Falsifikimi i dokumenteve“. Sipas aktakuzës, të pandehurit persona fizik: N.D., A.M., A.B., Xh.B., M.Z., F.D., F.Z., A.Sh., M.L., D.L., A.B., I.E., dhe të pandehurit persona juridik: ‘A&F P. Sh.p.k, ‘S. Sh.p.k’, ‘Sh.G Sh.p.k’., kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë mashtruar në procedurat e prokurimit publik me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Të pandehurit A.M, N.D., nga 02.04.2019 e deri më 11.03.2021, në cilësinë e personave zyrtarë pranë MASHT, kanë hartuar kritere përzgjedhëse në procedurat e tenderimit Blerja e pakove të pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje’, të cilat favorizonin operatorin fitues dhe përjashtonin padrejtësisht operatorë të tjerë. Si pasojë e këtyre veprimeve, është shkaktuar dëm i përgjithshëm në buxhetin e shtetit në vlerë prej 1,824,970.00 euro”, thuhet tutje në vendim.
Të pandehurit tjerë, A.B., Xh.B., M.Z., N.D. dhe A.M., akuzohen se nga 26.10.2020 deri më 27.11.2023, në cilësinë e personave zyrtarë pranë Ministrisë së Arsimit, “në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, kanë kontraktuar produkte me çmime deri në 1900% më të larta se ato të tregut duke i shkaktuar buxhetit dëm prej 2,148,282.35 euro”.
“Gjithashtu, në kundërshtim me kushtet e kontratës, kanë lejuar dorëzimin e produkteve me origjinë nga Kina dhe Turqia në vend të produkteve me origjinë nga Bashkimi Evropian, siç ishte përcaktuar në kontratë. Si pasojë e këtyre veprimeve, është shkaktuar dëm i përgjithshëm në buxhetin e shtetit në vlerë prej 3,626,243.80 euro”, thuhet në njoftim.



