Aktori shtegtar dhe autori ëndërrimtar

28 dhjetor 2020 | 14:58

Arian Krasniqi

(Për katër monodramat e Mentor Zymberajt botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”)

Aktorët janë soj i veçantë i artistëve të artit dramatik. Gjatë gjithë jetës së tyre ata me talentin, imagjinatën dhe kreativitetin krijojnë, formësojnë dhe jetësojnë në skenë personazhe dramatike me karaktere të shumëllojta. Mbase, për fat, kjo ua jep përparësinë aktorëve që të njohin më shumë dhe më mirë botën shumëngjyrëshe të personazheve në një vepër dramatike. Por, të rrallë janë ata aktorë që, falë përvojës së tyre të gjatë skenike dhe përkushtimit të vazhdueshëm, i hyjnë edhe sfidës së shkrimit të teksteve dramatike. Një ndër ta është aktori dhe pedagogu shumëvjeçar Mentor Zymberaj, i cili prej kohësh na shfaqet edhe në cilësinë e shkrimtarit, pra të autorit të monodramave, të cilat i realizoi me sukses përgjatë dy dekadave të shkuara. Pra tani dhe këtu, para nesh qëndron jo vetëm aktori, por edhe autori (dramatisti) Mentor Zymberaj.

 

  1. Requiem për aktorin shtegtar

 

Teksti dramatik, monodramë, me titull domethënës dhe provokues Aktori në kuti, është një ndër tekstet më të veçanta të këtij lloji në gjininë dramatike në Kosovë. Autori, duke e sprovuar veten edhe në shkrimin e gjinisë dramatike, përmes këtij teksti monodramatik, na krijon dhe shpërfaq karakterin e personazhit kryesor, Aktorit, në dy plane kryesore: në planin e botës së tij të brendshme (intraverte) dhe në atë të jashtme (ekstraverte).

Aktori, si personazh kryesor në këtë monodramë, në ditëlindjen e tij të 37, pasi ka kaluar mbi 20 shtete “pa pasaportë diplomatike”, me përvojën e tij prej “aktori endacak” vendos të rrëfehet në ditën e tij të veçantë, pra në ditëlindjen e tij, përmes një gostie “solemne” që i bën vetvetes me një shishe verë, që e nxjerr nga çanta (si kuti), brenda së cilës ndodhet krejt “pasuria e tij materiale”. Kjo është bota e jashtme e Aktorit. Rrugëtimi i tij dhe bota që e rrethon atë janë sfiduese, madje edhe kur ai ecën e kalon nëpër zonat e minuara që janë të kurdisura të shpërthejnë në çdo çast, njëjtë si zemërimi që herë-herë është i madh dhe e rrëmben vetëtimthi. Revolta dhe rebelimi kundrejt realitetit të brishtë dhe aspak premtues të jetës aktoreske në Kosovën e pasluftës janë pasqyra përmes së cilës ne, si lexues dhe shikues, e shohim dhe e përjetojmë botën e brendshme të Aktorit si personazh në monodramën e Zymberajt.

Aktori i Zymberajt është aktor i “kornizuar në kuti”, i cili jetën e ka udhë e udhën jetë. Në shoqëri ka vetëm gotën e verës dhe kujtimin për rolet e së kaluarës. Në këtë kontekst, Zymberaj ka bërë një gjetje interesante dramaturgjike, duke na e sjell të kaluarën e personazhit aktor përmes rikthimit të kujtimeve për disa role të luajtura në karrierën e tij, nga pjesë të zgjedhura teatrale, siç janë: Shekspiri, Moleri, Çehovi. Kështu, Aktori si personazh na paraqitet në shumëllojshmëri rolesh personifikuese që dëshmojnë talentin interpretues të Aktorit, por edhe fatin e tij të predestinuar si një artist i vet­muar, i pambështetur nga rrethi dhe i papërkrahur sa duhet nga institucionet e shtetit, të cilat në kohën tonë e kanë degraduar jetën artistike dhe kulturore më shumë se kurdoherë më parë.

Monodramën Aktori në kuti e lexoj dhe e përjetoj si një klithmë e thirrje për ndërgjegjësim kolektiv dhe si një zë kumbues në oazën tonë kulturore brenda një shkretëtire sociale në të cilën jetojmë ne si shoqëri. Përmes këtij teksti dramatik, Zymberaj, duke qenë edhe aktor me përvojë shumëvjeçare, dëshmon se njeh mirë ligjësitë skenike dhe respekton rregullat e strukturës dramatike në shkrimin e veprës së tij. Kjo monodramë ka situata interesante, gjetje skenike imagjinative dhe, mbi të gjitha, ndërtim funksional të personazhit, në këtë rast Aktorit, si në karakteristikat e tij fizike, po ashtu edhe në ato sociale dhe psiko-emotive.

Botimi i një vepre dramatike, pas një suksesi të dëshmuar në skenë, është përmbyllja më e mirë dhe më e qëlluar e qarkut jetësor të veprës në fjalë.

 

  1. Rrëfimi për specialistin e plagëve të veta

 

Ëndrra e fundit, pjesë e këtij teksti me monodrama, trajton me shumë vëmendje dhe përqendrim një temë që vë në spikamë fatin tragjik të individit dhe të kolektivitetit tonë shqiptar, përkatësisht vuajtjet e shumta nëpër burgjet dhe kazamatet serbe. Dukagjinasi Flamur Gashi, i burgosur në një burg pa emër, i shënjuar me numrin 1492, pas shtatë vjetësh burgosjeje dhe torturimesh, deri edhe në gjymtim gishtërinjsh, përmes njoftimit nga jashtë merr lajmin se lirohet nga burgu. E tërë kjo i duket e pabesueshme.

Flamur Gashi, përmes rrëfimit të tij në burg, na e shfaq njeriun tonë qëndrestar, besimin dhe bindjen e pamohueshme të tij për të vërtetën dhe për drejtësinë e nevojshme. Duke i jetuar orët e fundit në qelinë pa emër, Flamuri na sjell në vëmendje dhe në kujtesë të kaluarën e tij, por edhe raportin me familjen. Në strukturën e këtij teksti dramatik, autori përmes një gjetjeje interesante e vendos personazhin Flamur në një situatë të veprimit dramatik përmes monologut të dialogizuar. Kjo nënkupton “dialogun” imagjinar që ky e bën me të bashkëburgosurin tjetër, Ukën, i cili supozohet të jetë në qelinë ngjitur. Dialogu ndërmjet Flamurit dhe Ukës është rrëqethës dhe rrjedhimisht e ngre tensionin dramatik deri në kulm. Ky gradacion përshkallëzohet varësisht prej situatave nëpër të cilat kalon personazhi në vepër.

Flamuri është heroi dramatik, me një fat të predestinuar, ose të parathënë, ngjashëm si në tragjeditë antike. Përmes zërit të Ukës ai merr lajmin se njoftimi për lirimin e tij është i rrejshëm dhe se ky nuk do të dalë gjallë nga ai burg pa emër, ashtu siç nuk dolën shumë të burgosur të tjerë shqiptarë para tij, në mesin e të cilëve është Uka. Këtu Uka ka rol pak a shumë të ngjashëm me Orakullin e Delfit në antikë – jep lajmin për tragjedinë a fatkeqësinë që e pret heroin dramatik. Dhe është heroi dramatik ai që ecën rrugës së vet, duke besuar se një ditë mund t’i shmanget fatit të parathënë. Kështu bën edhe Flamuri. Ai lajmin për lirimin e tij e merr si të vërtetë dhe në fund nuk del gjallë nga aty. Ani pse i tërë rrëfimi i Flamurit për përjetimet e tij si i burgosur është sendimental, pjesë më prekëse është ajo kur rrëfen se si i janë prerë shtatë gishtërinj të majtë (në këmbë dhe dorë) dhe se përgjatë këtyre viteve të torturave ky është bërë “specialist i plagëve të veta”.

Ky tekst monodramatik ka një skenë interesante të futur brenda vetes që, përveçse është hallkë e rëndësishme në zinxhirin e rrëfimit, i jep motiv edhe më shumë veprimit psiko-dramatik të personazhit në vepër. Është kjo skena e ëndrrës, përmes së cilës Flamuri na e projekton pengun e tij dëshiror: kthimin në shtëpi te familja e vet, dasmën për martesën e motrës, takimin me të dashur etj. Kjo skenë, përveç të tjerash, merr kuptim edhe të ndërtimit të raportit me besën e dhënë si pjesë e traditës shqiptare. Sipas këtij interpretimi, fjala dhënë duhet mbajtur gjallë a dekë.

Fundi i Flamurit është tragjik. Përshkrimin më të mirë të fundit të tij e bën vetë ai përmes këtyre vargjeve si pjesë të monologut: Autori i shkrimeve të pabotuara vdes në qelinë e paemër dhe zhduket pa gjurmë në varrin e paemër. Por, çdo gjë ka fundin e vet. Heu po me mall të madh po shkoj!” Në këtë mënyrë Flamuri shkon në botën e përtejme (Skena e fundit) ku edhe takohet me Ukën e vdekur dhe atje e kupton të vërtetën e tragjedisë së vet.

Ëndrra e fundit e Zymberajt është monodramë për ëndrrën e përbotshme, për lirinë e nevojshme për secilin njeri, për sakrificën dhe gjakimin për ideale. Është epitaf për mijëra të burgosur shqiptarë që u torturuan e për shumë prej tyre që dhanë jetën nëpër burgjet famëkeqe serbe.

 

  1. Oficeri dhe hija e tij

 

Oficeri im i vogël është monodrama e tretë në këtë libër e Mentor Zymberajt. Për dallim prej dy të parave, këtu kemi ndërtimin e një raporti ndërmjet personazhit kryesor, Oficerit dhe fëmijës së vogël. Ky komunikim ndërmjet tyre është i njëanshëm sepse monologu i Oficerit bëhet dialog ndërmjet tyre pa e ndryshuar përmbajtjen e as formën e zhanrit të veprës. Ky dialog, sado që buron nga monologu, është i ndjeshëm dhe paraqet sensibilitetin e botës psiko-emotive të Oficerit dhe lexuesin, përkatësisht shikuesin, e bën të njëjtësohet me përjetimin emocional të personazhit duke bashkëndier dhimbjen për humbjen. Këtu teksti është i ndarë në skena që, për befasinë tonë të mirë, kësaj here nuk vijnë si rëndom të emërtuara me tituj apo me numra, por me shkronja. Pra, të gjitha skenat e kësaj monodrame janë të emërtuara me shkronja dhe kësisoj ato paraqesin apo shënjojnë edhe idenë që bartin me vete skenat dhe vepra në tërësi.

Ashtu si në dy monodramat e para, edhe në këtë autori ka arritur të krijojë një personazh që transformohet përmes harkut emocional të personazhit dhe na e rrëfen përvojën e tij, përvojë kjo që vjen nga lufta dhe nga tmerret e saj. Ideja në këtë monodramë mund të lexohet dhe të interpretohet si ide për nevojën e patjetërsueshme për ngadhënjimin e paqes kundrejt luftës; dashurisë kundrejt urrejtjes; dëshirave dhe ëndrrave fëmijërore kundrejt pasioneve të shfrenuara të të rriturve. E veçantë tjetër në këtë tekst dramatik është edhe raporti komunikues ndërmjet Oficerit dhe Zërit të femrës. Kështu, kemi një personazh, të papranishëm fizikisht në skenë, por që në strukturën dramatike luan funksionin e një personazhi i cili vihet në përballje me heroin dramatik. Pra, dialogu ndërmjet Oficerit dhe Femrës përmes zërit të saj, është dialog jo vetëm informues, por edhe gjetje ideore dhe skenike që konfliktin e bën më të dukshëm, pra e nxjerrë nga brenda personazhit kryesor jashtë, duke e bërë konflikt skenik të motivuar mirë dhe mjaftueshëm.

Oficeri im i vogël është tekst i shkruar bukur për skenën e teatrit. Ky tekst mund të lexohet edhe si letërsi e botuar, prandaj botimi i tij vetëm sa e ofron më shumë tekstin kah destinacioni i fundit që është skena dhe publiku.

 

  1. Arka e fshehtë që zbulon kujtime e histori

 

Arka është monodrama e katërt në vargun e krijimtarisë dramatike të Zymberajt që, ngjashëm si tekstet e tjera të tij, shpërfaq sigurt pjekurinë artistike dhe krijuese, i cili, duke qenë lëvrues i pasionuar dhe i veçantë i monodramës, kon­cepton ide dhe shtjellon tematika që sublimohen në kornizat e një vepre të qëndrueshme dramaturgjike.

Arka, përveç simbolikës së titullit, në thelbin e idesë së vet bart dhe mishëron provokimin ndijor dhe imagjinar të autorit për të konceptuar dhe për të krijuar tekst dramatik (monodramë) mbi një premisë shumëdimensionale artistike, sociologjike dhe psikologjike. Personazhi i veprës, Djali i Nanës, duke hapur arkën e shtëpisë së tij, çëmton dhe gërmon edhe më thellë në kujtesën e tij dhe të kaluarën e përbashkët familjare. Ai bashkëbisedon me nënën e tij, pastaj me babanë, vëllanë dhe motrën, përkatësisht me të gjithë anëtarët e afërt të familjes, përmes të cilave bashkë­bisedime (dialogime dramatike) zbulon histori drithëruese e raporte emocionale familjare.

Djali i Nanës jo vetëm si protagonist, por edhe si rrëfimtar në vepër është heroi dramatik që, më shumë sesa veprimin, ka për pikësynim “kuvendimin” apo bashkëbisedimin dhe rrëfimin për episode dhe ndodhi të së kaluarës, të cilat, edhe pse të copëzuara, në tërësinë e tyre në vepër, përplo­tësojnë mozaikun e plotë të tablos familjare. Arka si element tradicional shqiptar për ruajtjen e gjësendeve me vlerë në çilerin e zonjës së shtëpisë, nuk është vetëm një rekuizitë skenike a teatrore brenda veprës dramaturgjike, përkundrazi, kjo arkë kthehet në simbol ideor dhe artistik të veprës duke ngërthyer në vete edhe thelbin e motivit që e shtynë autorin të trajtojë tematika sa personale, po edhe aq universale. Prandaj, arka në monodramën e Zymberajt është ura lidhëse ndërmjet të tashmes dhe të kaluarës. Kjo arkë, në dukje e fshehtë, në mënyrë graduale, por të përshkallëzuar dramaturgjikisht, zbulon kujtesën për të kaluarën dhe mallin për njerëzit e afërm të Djalit që rrëfen. Secili gjësend i nxjerrë nga arka ka domethënien e vet dhe inkorporohet bukur me idetë e autorit për ta transmetuar projeksionin e tij artistik nëpërmjet një vepre dramatike që ndërtohet dhe zhvillohet plotësisht sipas strukturës së njohur dramaturgjike, jo vetëm si rrëfim monodramatik, por edhe si ngjarje me personazh në skenë që vizualizon të tashmen, kujton të kaluarën, por edhe projekton të ardhmen e mundshme. Edhe këtu autori, për t’i ikur “monotonisë skenike”, perso­nazhin e veprës e vë në situata dialoguese imagjinare me personazhe të tjera që s’shihen në skenë, por që projektohen dhe janë të pranishëm nëpërmjet monologut dialogues të protagonistit. Mentor Zymberaj përmes arkës së tij zbulon fshehtësitë e njeriut që ka përjetuar humbje dhe dhimbje të mëdha njerëzore dhe që lexuesin, përkatësisht shikuesin, e bën të bashkëndiejë thellësisht me fatin e personazhit.

Krejt në fund, duhet thënë se Zymberaj mjeshtërinë e tij prej aktori në monodramë e ka transferuar me po aq potencë krijuese edhe në shkathtësinë e shkrimit të monodramës që te ne është e rrallë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Monodrama” është libri i parë i profesorit të Fakultetit të…