Dita e Çlirimit të Prishtinës, Orli Zhubi lanson këngën ‘Prishtina jonë’ (Video)

11 qershor 2026 | 11:57

Me rastin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës, këngëtari Orli Zhubi ka lansuar projektin e tij më të ri muzikor me titull “Prishtina jonë”, një këngë kushtuar kryeqytetit dhe të gjithë atyre që kanë lindur, janë rritur apo ruajnë kujtime të veçanta nga Prishtina.

Duke folur për projektin, Zhubi ka theksuar se kënga është ndërtuar mbi ndjenjën e nostalgjisë së një prishtinasi që jeton larg vendlindjes së tij, por që vazhdon ta mbajë në zemër qytetin ku ka kaluar vitet më të bukura të jetës.

Tekstin e këngës e ka shkruar Ilir Munishi, ndërsa muzika është realizuar nga “FeniX Music Production”, me autor vetë Orli Zhubin. Orkestrimi dhe audio-masterizimi i vokalit janë punuar nga “BB Music”, nën kujdesin e producentit Beni Baksi.

Videoklipi i këngës është realizuar nga Besart Galica, i cili ka kryer xhirimet me smartphone dhe dron, si dhe montazhin e plotë të projektit, duke sjellë pamje atraktive dhe emocionale të kryeqytetit.

Në një mesazh falënderues, Orli Zhubi ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë bashkëpunëtorët që kontribuuan në realizimin e këtij projekti, duke u uruar atyre suksese të mëtejshme në karrierën profesionale.

“Prishtina jonë” vjen si një dhuratë artistike për qytetarët e kryeqytetit në një ditë të rëndësishme historike, duke përcjellë dashurinë, krenarinë dhe mallin për qytetin që mbetet pjesë e pandashme e identitetit të shumë gjeneratave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veprimtari i çështjes kombëtare dhe publicisti Riza Greiçevci, ka sjellë…