Alarmohet NATO për aktivitetin armiqësor të Rusisë në Evropë

03 maj 2024 | 08:04

Aleanca e udhëhequr nga SHBA-ja tha se është e shqetësuar nga “aktiviteti hibrid” i Moskës në Çeki, Estoni, Gjermani, Letoni, Lituani, Poloni dhe Mbretërinë e Bashkuar.

NATO ka lëshuar një paralajmërim për aktivitetin “armiqësor” rus në të gjithë Evropën.

Në një deklaratë të lëshuar së fundmi, aleanca ushtarake prej 32 anëtarësh tha se është “thellësisht e shqetësuar për aktivitetet keqdashëse” të Moskës, të cilat ajo i quajti kërcënim për sigurinë perëndimore.

Bëhet e ditur se te aktivitetet keqdashëse hyjnë edhe “dezinformimi, sabotimi, aktet e dhunës, ndërhyrjet kibernetike dhe elektronike, dhe operacione të tjera hibride”.

Sipas NATO-s, të prekura nga këto aktivitete janë Çekia, Estonia, Gjermania, Letonia, Lituania, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar, shkruan euronews.

Aleanca ushtarake i quan këto aktivitete “fushatë intensifikimi që Rusia vazhdon ta kryejë në të gjithë zonën euro-atlantike, duke përfshirë edhe territorin e aleancës”.

“Ne i mbështesim dhe solidarizohemi me aleatët e prekur”, tha NATO në deklaratën e saj, duke dënuar “sjelljet e Rusisë”.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim qëndrueshmërinë tonë dhe të përmirësojmë mjetet për të kundërshtuar veprimet hibride ruse për t’u siguruar që aleanca dhe aleatët e saj mund të mbrohen nga këto sulme”, shtoi NATO.

Ndryshe, pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të vitit 2022 ka rritur tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit, me Uashingtonin dhe shumicën e qyteteve evropiane që e mbështesin Kievin.

Pasojat kanë çuar edhe në forma tjera të luftës si ajo hibride, e cila kombinon forcën ushtarake me aktivitete të tjera si ekonomike, politike e sociale.

Gjatë një interviste në shtator të vitit 2023, Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, paralajmëroi për dërgimin e emigrantëve nga Moska përtej kufirit 300 kilometra të gjatë si një formë tjetër e sulmit hibrid.

E deklarata e NATO-s vjen edhe mes një rritjeje të akuzave ndaj individëve të dyshuar për lidhje me Moskën.

Madje, së fundmi një kapiten i ushtrisë gjermane ka pranuar se ka spiunuar për Rusinë dhe ka nxjerrë sekretet shtetërore të vendit të tij. Ndërkohë, një britanik po akuzohet se ka punuar për grupin mercenar rus Wagner.

Edhe Parlamenti Evropian tha se po “i shqyrton” pretendimet se deputetët evropianë po paguhen për të përhapur propagandë ruse.

Parlamenti lëshoi edhe një rezolutë e cila i dënon përpjekjet e tilla, pas zbulimeve të cilat thuhet se janë “përpjekje të mbështetura nga Kremlini për të ndërhyrë në proceset demokratike evropiane”.

“Çdo taktikë e tillë, duhet të ketë pasoja”, thuhet në një deklaratë të Parlamentit Evropian të botuar më 25 prill. /Telegrafi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me shumë emocione nga ceremonia madhështore e shpalljes dhe dekorimit…