Albin Kurti do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Berlinit

20 tetor 2025 | 11:25

As përgjatë këtyre dy ditëve nuk pritet të ketë ndonjë zhvillim sa i përket krijimit të Qeverisë së re të vendit.

Kjo pasi seanca e Kuvendit të Kosovës nuk do të thirret as për sot, nesër apo pasnesër.

Kryeministri në detyrë, njëherësh i mandatuari tanimë për qeverinë e re- Albin Kurti do të udhëtojë për në Londër.

Kurti do të përfaqësojë Kosovën në samitin e Procesit të Berlinit që zhvillohet më 22 tetor në Londër.

Procesi i Berlinit synon të përshpejtojë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes politike, ekonomike dhe teknike nga vendet anëtare të BE-së, veçanërisht nga Gjermania.

Ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani ka mandatuar Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Sipas presidentes ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të mandateve në Kuvend nga rezultat e zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti.

“Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e qeverisë për miratim”, ishte thënë në njoftimin e Presidentes.

Mandatimi i Kurtit për formimin e qeverisë së re u mundësua vetëm një ditë pas Parlamenti i Kosovës përfundoi një proces të stërzgjatur të konstituimit me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit Nenad Rashiq nga radhët e komunitetit serb. Rashiqi nuk është nga Lista Serbe, ndonëse kjo e fundit pretendon që nënkryetari i Kuvendit është zgjedhur jashtëligjshëm dhe se i takon asaj ky post, sepse është grupi  më i madh parlamentar  me nëntë deputetë nga radhët e komunitetit serb.”

Pavarësisht se kanë kaluar shumë muaj – Kosova vazhdon të jetë me qeveri në detyrë. Kuvendi i Kosovës është konstituuar me shumë vështirësi, derisa Lista Serbe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të komunitetit serb e çoi edhe një herë në Kushtetuese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli shqiptar Luana Vjollca, ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve me…