Gazeta ‘Tageblat’: Vuçiqi po humb aleatët, Serbia drejt izolimit ndërkombëtar
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka humbur përkrahjen edhe nga aleatët e tij tradicionalë për shkak të qëndrimeve gjithnjë e më të paqarta dhe konfrontuese ndaj Kosovës.
Sipas gazetës luksemburgase “Tageblat”, marrëdhëniet e tij me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan janë ftohur dukshëm pasi Vuçiq ka reaguar me ashpërsi ndaj furnizimit të Kosovës me dronë nga Turqia – veprim që, sipas medias, e ka përçuar një aleancë të gjatë politike midis dy liderëve autoritarë.
Në këtë analizë të gjatë dhe kritike, “Tageblat” paraqet fakte që tregojnë se Vuçiq po e humb gjithnjë e më shumë kredibilitetin si brenda Serbisë, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Ai po e ka shtyrë vendin drejt izolimit përmes një politike të paqëndrueshme që përpiqet të balancojë interesat midis Lindjes dhe Perëndimit, por pa arritur të ruajë besimin e asnjërës palë.
Gazeta ka përkujtuar se gjatë vizitës së fundit në Beograd, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ia ka dhënë një mesazh të qartë Vuçiqit: “Ju e dini për hendekun në rritje mes demokracive dhe autokracive… Ne mbrojmë lirinë dhe jo represionin, partneritetin dhe jo nënshtrimin, diplomacinë dhe jo agresionin”.
Sipas “Tageblat”, Serbia, një vend kandidat për anëtarësim në BE, po ecën në një “tel të hollë” mes Bashkimit Evropian dhe aleatëve lindorë si Rusia dhe Kina, por kjo strategji po çon drejt izolimit dhe humbjes së ndikimit diplomatik, përfshirë edhe çështjen e Kosovës.
Gazeta ka rikujtuar edhe strategjinë e dikurshme të presidentit Boris Tadiq për katër shtylla të politikës së jashtme serbe – marrëdhënie me BE-në, ShBA-në, Rusinë dhe Kinën. Por nën udhëheqjen e Partisë Progresive Serbe (SNS), që nga viti 2012, Beogradi është treguar gjithnjë e më pak i interesuar për vlerat e BE-së, edhe pse përfiton nga fondet dhe tregu i saj i përbashkët.
Tashmë, ka shkruar “Tageblat”, Vuçiqi ka humbur edhe përkrahjen nga ShBA. Administrata e re amerikane ka vendosur sanksione ndaj kompanisë serbe të naftës NIS, për ta detyruar Serbinë të heqë dorë nga kontrolli i Gaspromit rus. Ndërkohë, Moska është e pakënaqur me shitjen e armëve nga Serbia drejt Ukrainës dhe vendeve të tjera, duke e trajtuar Vuçiqin me mosbesim.
Këto zhvillime e kanë përkeqësuar pozicionin e Serbisë edhe në raport me Kosovën, ku Beogradi po e gjen veten gjithnjë e më i izoluar. Marrëdhëniet e tensionuara me Turqinë, një nga fuqitë rajonale me ndikim në Kosovë, janë një tjetër sinjal i qartë se politika e jashtme e Vuçiqit po dështon.
Në fund, “Tageblat” ka cituar gazetarin dhe kolumnistin serb Ranko Pivljanin, i cili e përshkruan Vuçiqin si “një lider që përpiqet të rrijë pak në përqafimin e arushës ruse, pak në kthetrat e dragoit kinez dhe pak në shalën e xhaxha Semit, ndërsa Brukselin, vendin ku Serbia e ka vendin, e neglizhon. Rezultati: një katastrofë diplomatike dhe politike”.



