Algjeria e miraton ligjin që kolonizimin nga Franca e shpall krim
Kuvendi i Algjerisë njëzëri miratuan një ligj që e shpall krim kolonizimin e shtetit të madh afrikan nga Franca, duke kërkuar kërkimfalje dhe dëmshpërblime.
Deputetët algjerianë, duke qëndruar ulur me shalle me ngjyrat e flamurit kombëtar, të mërkurën brohoritën “rroftë gjatë Algjeria” dhe duartrokitën pas miratimit të ligjit. Në këtë ligj thuhet se Franca mban “përgjegjësi ligjore për të kaluarën e saj kolonizuese në Algjeri dhe për tragjeditë që ajo i shkaktoi”.
Dy vendet janë zhytur në një krizë të madhe diplomatike dhe analistët thonë se veprimi i Kuvendit të Algjerisë është kryesisht simbolik, ai prapëseprapë është domethënës politikisht, raporton gazeta “The Guardian”.
Kryetari i Kuvendit të Algjerisë, Ibrahim Boughali, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve APS se votimi i këtij ligji do të dërgojë “një porosi të qartë, brenda e jashtë vendit, se kujtesa kombëtare e Algjerisë as nuk fshihet, as nuk është e negociueshme”.
Në ligjin e ri paraqitet lista e “krimeve të kolonizimit francez”, ku përfshihen testet bërthamore, ekzekutimet jashtëgjyqësore, “tortura fizike dhe psikologjike” dhe “plaçkitja sistematike e burimeve”.
Më tej, në ligj thuhet se “kompensimi i plotë dhe i drejtë për të gjitha dëmet materiale e morale të shkaktuara nga kolonizimi francez është e drejtë e patjetërsueshme e shtetit dhe popullit algjerian”.
Sundimi francez në Algjeri nga viti 1830 deri më 1962 ishte periudhë e shënuar me vrasje masive dhe dëbime të shkallës së lartë, deri te lufta e përgjakshme për pavarësi nga viti 1954 deri më 1962.
Algjeria thotë se në këtë luftë janë vrarë 1 milion e gjysmë njerëz, ndërsa historianët francezë thonë se bëhet fjalë për 500 mijë njerëz gjithsej, 400 mijë prej tyre algjerianë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, më parë e ka njohur kolonizimin e Algjerisë si “krim kundër njerëzimit”, por nuk ka bërë kërkimfalje zyrtare./Nacionale



