Ambasadori i Britanisë së Madhe: Kosova ka votuar për ndryshim

08 tetor 2019 | 16:19

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abbott, ka komentuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat janë mbajtur më 6 tetor.

Abbotti ka thënë se sipas rezultateve preliminare, qytetarët e Kosovës kanë votuar për ndryshim.

“Kosova ka votuar për ndryshim, dhe tash pret formimin e një qeverie të re dhe stabile, që do të mund të merret me çështjet e rëndësishme me të cilat është duke u ballafaquar vendi”, ka shkruar ai në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Abbottit:

Kosova ka mbajtur të dielën zgjedhje parlamentare të qeta dhe të organizuara mirë. Kjo tregon se demokracia në Kosovë është duke u rritur.

Unë përgëzoj dedikimin dhe profesionalizmin e Këshillit Qendror të Zgjedhjeve, të cilin e kanë vërejtur edhe vëzhguesit e Ambasadës Britanike kudo në vend. Ishte shumë mirë të shihje rezultatet paraprake të publikoheshin me aq shpejtësi në ueb faqen e KQZ-së, që bëri procesin të jetë edhe më transparent.

E mirëpres deklaratën e sotme të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, dhe ndaj mendimin se zgjedhjet kanë qenë të administruara mirë. Por jam i brengosur me kërcënimet gjatë fushatës në disa pjesë të Kosovës të banuara me popullatë serbe.

Rezultatet janë të qarta. Kosova ka votuar për ndryshim, dhe tash pret formimin e një qeverie të re dhe stabile, që do të mund të merret me çështjet e rëndësishme me të cilat është duke u ballafaquar vendi. Unë mezi pres bashkëpunimin me qeverinë e re.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Bedri ISLAMI Kosova, nga e diela në mbrëmje, ka…