Ambasadori i SHBA-së rikthehet në Moskë

24 qershor 20:03

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, John Sullivan, u kthye në Moskë, dy muaj pasi u largua nga posti, për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Rusisë.

Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Rusi, Jason P. Rebholz.

Vetë Sullivan tha në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve Interfax, se “është i lumtur” që është kthyer në Moskë.

“Pres që të punoj me kolegët tanë në Qeverinë ruse për të arritur qëllimin tonë për marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, tha Sullivan.

Pas takimit në Gjenevë, më 16 qershor, presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë njoftuar se ambasadorët e tyre do të kthehen shpejt në misionet e tyre, në përpjekje për të ulur tensionet.

Ambasadori rus, Anatol Antonov, është kthyer në SHBA më 20 qershor.

Ai është tërhequr nga posti në muajin mars, pasi Biden ka thënë se pajtohet që Putin është “vrasës”.

Sullivan është tërhequr nga posti në muajin prill, pasi SHBA-ja dhe Rusia kanë ndërmarrë sanksione të ndërsjella dhe i kanë dëbuar diplomatët e njëra-tjetrës.

Uashingtoni ka sanksionuar Moskën për sulme kibernetike, për ndërhyrje në zgjedhjet në SHBA dhe për helmimin dhe burgosjen e politikanit rus opozitar, Aleksei Navalny. Rusia është përgjigjur me sanksione hakmarrëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia në Gjakovë, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore,…