Ambulanca mjekësore në Llaushë së shpejti do të rihapet
Komuna e Skenderajt ka bërë me dije se së shpejti do të kthehet në funksion ambulanca mjekësore në Llaushë. Ky njoftim i komunës ka ardhur pasi të mërkurën në rrjete sociale ka qarkulluar një video e vjetër e cila paraqet gjendjen e ambulancës mjekësore në fshatin Llaushë.
“Kjo AMF është e mbyllur që nga korriku i vitit 2020 nga qeverisja e kaluar. Si qeverisje komunale, jemi në fazën finale të përcaktimit të stafit mjekësor dhe shpejt kjo AMF do të kthehet në shërbim të qytetarëve të Llaushës. Gjithashtu edhe AMF në fshatin Qubrel është mbyllur në fillim të vitit 2020, e të cilën do të përpiqemi gjithashtu ta kthejmë në funksion sa më parë”, ka njoftuar Komuna e Skenderajt.
Para disa muajve edhe Qendra e Mjekësisë Familjare në Likoc ka qenë e mbyllur, por tashme ofron shërbimet e nevojshme për qytetarët e kësaj zone.
“Në QKMF në Skenderaj kemi vënë në funksion pajisje të reja në vlerë mbi 120,000 euro kurse jemi në proces të kthimit në funksion të shërbimeve sa më të mira për qytetarët. Edhe në Runik e kemi angazhuar mjekun e ri i cili punon me orar të plotë. Me marrjen e mandatit si qeverisje komunale, pavarësisht se buxhetin e kemi pasur të miratuar, i kemi dhënë prioritet shëndetësisë duke rritur numrin e mjekëve nga 28 sa kanë qenë në 32, si dhe kemi kthyer nga pensioni edhe pesë mjekë të tjerë familjarë me qëllim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët. Si qeverisje lokale, do të jemi gjithmonë në shërbim të qytetarëve për aq sa dimë e sa mundemi”, ka njoftuar Komuna e Skenderajt.



