AMERIKA, ATDHEU GLOBAL I LIRIDASHËSVE

11 shtator 2019 | 16:54

Nga Mehmet PRISHTINA

(Në vend të homazhit për viktimat e 11 shtatorit 2001)

Sot është 11 shtatori, dita kur Amerika kujton me pezëm një ngjarje që solli tragjedi njerëzish. Kjo ditë do të jetë një pullë e zezë që mbërthen kujtesën njerëzore brenda përvojave të hidhura nëpër të cilat kaluan popujt. 11 Shtatori sa është një ditë zie për popullin amerikan, po aq është një ditë pikëllimi edhe për popullin shqiptar, i cili çdo centimetër të rrezikuar të tokës amerikane e përjeton si rrezikim të tokës së tij

 

11 Shtator 2001. Para tetë vjetëve bota u shokua nga sasia marramendëse e urrejtjes që u shoqërua me shpërthime të fuqishme. Njerëzimi edhe një herë gdhiu me frikën e të qenit pranë pasigurisë. Ky është edhe qëllimi i terroristëve. Por, sfida antiterroriste u tregua më e gjallë në venat e popullit liridashës amerikan se sa frika që terroristët deshën ta mbjellin.
Kullat binjake në Nju Jork u rrëzuan fizikisht, por shpirtërisht në zemrat e miliona njerëzve paqedashës të mbarë botës, mbinë kulla tjera më të fuqishme të solidaritetit dhe mirëkuptimit me një popull të tërë Amerikan.

Në historinë më të re, 11 Shtatori 2001 do të shënojë kufirin në mes të çmendurisë për të atakuar lirinë njerëzore dhe refuzimit sublim të ideologjive që prodhojnë terror e kolaps civilizues. Popujt që kanë kaluar nëpër pyjet e errta të historisë, kanë mirëkuptim të plotë për ngjarjet tronditëse të 11 Shtatorit. Vetëm këta popuj mund ta kuptojnë filozofinë shkatërruese të monstrave që duan të imponojnë ligjet e tyre të xhunglës në hartën globale të planetit.

Holokausti kundër Hebrenjve, murtaja e spastrimeve etnike në këndet e ndryshme të botës si dhe aksioni famëkeq ‘Patkoi’ i Millosheviqit që kishte synim zhbërjen fizike të shqiptarëve, janë pikat më të errëta të mbamendjes njerëzore dhe sa herë që vjen 11 Shtatori s’kemi si të mos i kujtojmë edhe këto pika.

Dikush para tetë viteve deshi ta vret një popull, deshi t’ia dorëzojë historisë edhe një faqe të zezë, të shkruar me ideologjinë e panikut dhe pasigurisë urbane.
Sa herë që terrorizmi global tenton të prishë paqen dhe mirëqenien e popujve, krijohet një ndërgjegjësim më efikas për rreziqet e këtij terrorizmi. Amerika është shembulli më ilustrues i solidaritetit të gjithë atyre që e kanë përjetuar në lëkurën e tyre përkëdhelinë e ngrohtë të kujdesit amerikan në momentet më të vështira, siç ishte edhe rasti me shqiptarët e Kosovës. Këta të fundit çdo centimetër të rrezikuar të tokës amerikane e përjetojnë si rrezikim të tokës së tyre dhe kjo nuk mund të shpjegohet vetëm me fjalë, pa patur thellë në shpirt ndjenjën e mirënjohjes ndaj mikut që ta ka zgjatë dorën në kohën kur ti ke qenë i vetmuar dhe i rrethuar nga hienat.

Prandaj 11 shtatori sa është një ditë zie për popullin amerikan, po aq është një ditë pikëllimi edhe për popullin shqiptar. Kjo ditë na e kujton blozën mbi pullazin e shtëpisë së djegur nga barbarët serbë dhe vajin fëmijës që kishte mbetur një javë pa qumësht. Vetëm atëherë kur gishti komandues i Uashingtonit zyrtar aktivizoi makinerinë e solidaritetit ndërkombëtar, u bë e mundur prekja reale e lirisë nga ana e shqiptarëve të Kosovës. Amerika qysh nga koha e Presidentit Vilson, e deri te presidentët Bush, Klinton, Obama e Trump, u tregua mjaft e ndjeshme ndaj kërkesave dhe vuajtjeve të shqiptarëve dhe si një vëlla i drejt ruajti gjithnjë ngrohtësinë e dorës mbi kokën e zhubravitur të një fëmije që kishte dëshirë të bëhet shtet.

Dhe Kosova u bë shtet i lirë e i pavarur falë djemve e vashave amerikane që nuk kursyen jetën për të sjellë mbi qiellin e Ballkanit fluturaket e shpëtimit. Liria që sot gëzon Kosova ka dalë nga zhurma e këtyre fluturakeve, kurse aradhat e çlirimtarëve kosovarë u bënë gjerdan krenarie mbi trupin e atdheut të lirë.

Sot është 11 Shtatori, dita kur Amerika kujton me pezëm një ngjarje që solli tragjedi dhe pikëllim. Kjo ditë do të jetë një pullë e zezë që mbërthen kujtesën njerëzore brenda përvojave të hidhura nëpër të cilat kaluan popujt.

Amerika është më e fortë pas 11 shtatorit, kurse fantazmat e terrorizmit global nuk do të mund të bëjnë askund fole, sepse aspirata për të qenë i lirë do të jetë më e shndërritshme se hija e mendjeve të errëta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në detyrë , Endrit Shala,…