Analistët: Qeveria është e brishtë, gjasat që të stabilizohet janë zero

30 shtator 2020 | 11:37

Kryeministri Avdullah Hoti po pretendon se koalicioni qeverisës është stabil, por krejt ndryshe mendojnë njohësit e rrethanave politike. Ata kanë vlerësuar se vetë fakti se kjo qeveri nuk mund t’i kalojë as ligjet me shumicë të thjeshtë në Kuvend tregon për stabilitetin e këtij koalicioni qeverisës.

Sipas tyre, vazhdimi i kësaj mënyre të qeverisjes është i dëmshëm për vendin dhe qytetarët.

Analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë për “Epokën e re” se një qeveri e cila nuk i ka numrat për kalimin e ligjeve në Kuvend duhet të dorëhiqet.

“Ajo që thotë kryeministri Hoti është në kontradiktë me gjendjen reale. Në një situatë kur një qeveri nuk mund ta kalojë një ligj të rëndomtë me shumicën e thjeshtë në Kuvend, nuk ka çfarë kërkon më në qeverisje. Është dashur të tërhiqet. Në rastin tonë, kur pesë herë qeveria nuk mund ta kalojë një ligje në Kuvend, kjo e kalon çdo logjikë normale të funksionimit të një qeverie”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka bërë me dije se pas dorëzimit të deputetit Etem Arifi tek organet e drejtësisë për ta vuajtur dënimin, qeveria nuk i ka numrat e nevojshëm. “Në anën tjetër, tash e dimë se me rastin e deputetit Arifi, në fakt koalicioni nuk i ka as votat me të cilat është zgjedhur, gjë që është shumë problematike. Nuk po them se nuk mund të vazhdojë qeverisjen në këtë mënyrë, sepse gjithçka varet edhe nga opozita”, është shprehur Mushkolaj.

Sipas tij, vazhdimi i punës së këtij koalicioni në këtë mënyrë do të jetë në dëm të qytetarëve të Kosovës. “Në anën tjetër, opozitën e kemi jounike, sepse dy partitë nuk po bëhen bashkë për ta ngritur mocionin e mosbesimit. Dhe nëse ngrehet mocioni, atëherë do të duhej të fokusoheshin edhe në gjetjen e ndonjë vote shtesë në mënyrë që t’i sigurojnë votat e nevojshme për rrëzimin e qeverisë. Por, është jashtëzakonisht e dëmshme të funksionojë një qeveri e tillë e cila nuk mund ta kalojë një ligj i cili është në të mirën e qytetarëve. Duke pasur parasysh deklarimin e LV-së dhe të PDK-së se kjo qeveri është e dëmshme dhe e rrezikshme, atëherë cila është logjika që ata nuk po e heqin këtë qeveri të dëmshme”, ka deklaruar Mushkolaj, duke treguar se pse kjo qeveri është e dëmshme.

“Edhe unë besoj se kjo qeveri është e dëmshme, sepse ende nuk ka arritur ta kalojë në Kuvend Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, pas pesë dështimeve, kurse shtetet fqinje, siç është rasti i Maqedonisë, ka miratuar edhe pakon e katërt të mbështetjes për bizneset dhe qytetarët”, është shprehur ai.

Edhe analisti tjetër politik Faton Abdullahu mendon se kjo qeveri është e dëmshme për vendin.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se qeveria Hoti nuk është as normale e as stabile. “Nëse në mungesë të votave, në këtë kohë pandemie nuk mund të ndihmohet qytetari me paratë e premtuara për ta kaluar pak më mirë këtë situatë që e ka dëmtuar kualitetin e jetës së tij edhe ashtu jo të mirë, kjo qeveri nuk mund të jetë as normale, as stabile e më së paku funksionale. Për LDK-në më e rëndësishmja ka qenë që ta rrëzojë qeverinë Kurti duke e akuzuar si antiamerikane me qëllim që ta krijojë perceptimin se ajo është më pro-amerikane e nuk ka dashur të kuptojë se ajo po servonte një qeverisje anti-qytetare”, ka thënë Abdullahu. Sipas tij, funksionimi në këtë mënyrë i qeverisë është në dëm të qytetarëve dhe të vendit.

“Kjo qeveri është e brishtë dhe gjasat që ajo të stabilizohet dhe të jetë funksionale janë zero. Përderisa është kështu çdo ditë që po rrjedh me këtë lloj qeverisje shkon në dëm të qytetarit të Kosovës, por edhe në dëm të Kosovës, sidomos në raport me dialogun me Serbinë. Kjo qeveri pretendon se e ka nxjerrë më të mirën në Uashington. Kjo nuk qëndron”, ka thënë ai, duke shtuar se qeveria Hoti të metat e saj po përpiqet t’i fshehë përmes dialogut të Brukselit. “Për më keq, ajo po përpiqet pandalshëm që atë që nuk e ka në Kosovë, atë që i mungon këtu, ta kompensojë me faktorizim në Bruksel dhe Uashington. Të metat dhe mangësitë e kësaj qeverie brenda nuk mund të eklipsohen me pretendimet se jashtë, në Uashington, ajo ka arritur sukses të madh. E brishtë e përçarë me shumicë shqiptare jashtë, pa ekspertë dhe pa guxim, ajo në Uashington nuk e nxori më të mirën e mundshme”, ka thënë ai.

Zgjedhjet, rruga më e mirë

Analistët politikë kanë vlerësuar se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më kështu. Sipas tyre, opozita duhet të bashkohet dhe ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. “Më së miri është të shkojmë në zgjedhje. Kanë ndryshuar shumë gjëra dhe nuk mund të bazohemi më në vullnetin politik të 6 tetorit të vitit të kaluar. Ta kemi edhe një konfigurim të kësaj qeverie duke u bazuar në votat e 6 tetorit të vitit të kaluar do të thotë të kemi tri qeveri nga një palë zgjedhje, nga një vullnet politik, qeverinë Kurti, qeverinë Hoti dhe një të re me konfigurim”, ka thënë analisti Faton Abdullahu, duke shtuar se ka ardhur koha që të vijë në shprehje vullneti i qytetarëve.

“Jo duhet edhe një herë ta lexojmë me zgjedhje vullnetin politik të qytetarit sepse shumë gjëra kanë ndryshuar. Thjesht. më mirë është të shkojmë në zgjedhje kur këtë na lejon situata e pandemisë. Nëse kjo nuk është e mundshme, në rast të përkeqësimit të situatës së pandemisë, atëherë ka sens rikonfigurimi dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore”, është shprehur ai.

Kurse analisti Imer Mushkolaj ka thënë se shkuarja në zgjedhje apo jo është në duar të PDK-së.
Sipas tij, tani çdo gjë varet nga partia e Kadri Veselit. “Gjithçka varet nga PDK-ja. Kjo parti tani është në një pozicion as mish e as peshk siç thuhet, sepse as nuk po futet në qeveri që t’ia zgjasë jetën kësaj qeverie të paktën deri në një moment tjetër, e as nuk po bëhet bashkë me LV-në për ta votuar mocionin për rrëzimin e qeverisë. Pra, gjithçka varet nga PDK-ja dhe çfarëdo që ndodh është rezultat i kontributit ose jo të PDK-së, qoftë në versionin e parë, qoftë në versionin e dytë”, ka thënë Mushkolaj.

Edhe opozita mendon se qeveria aktuale nuk i ka votat e mjaftueshme për ta qeverisur vendin.
Përfaqësuesit e PDK-së dhe të LV-së kanë vlerësuar se qeveri Hoti nuk është në shërbim të qytetarëve të vendit. Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, qeverinë aktuale e ka vlerësuar si qeveri të lodhur.
Kurse ish-ministrja e Drejtësisë dhe zyrtarja e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se për kryeministrin është e rëndësishme vetëm ulësja. Ajo ka thënë se kjo qeveri nuk i ka numrat për asnjë çështje për ta shtyrë përpara. Pavarësisht prej pretendimeve të analistëve politikë dhe opozitës, kryeministri Avdullah Hoti mendon se koalicioni të cilin e udhëheq ai është stabil dhe nuk ka nevojë për zgjerim. “Koalicioni qeverisës është duke funksionuar. Qeveria është stabile dhe për aq kohë sa është qeveria stabile unë nuk shoh arsye që të hyjmë në kombinime të tjera. Jemi duke respektuar marrëveshjen e koalicionit, jam duke u kujdesur çdo ditë që të respektohet kjo marrëveshje”, ka thënë Hoti.

Koalicioni aktual qeverisës në Kosovë përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe partitë e pakicave.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I ftuar sot në "Wake Up", Kastro Zizo foli edhe…