Andin Hoti për gërmimet në Burgun e Dubravës: Lajm është gjetja e trupave, jo gërmimi i një lokacioni

29 maj 2025 | 17:16

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti ka reaguar pas raportimeve të sotme lidhur me gërmimet në Burgun e Dubravës.

Hoti ka thënë se lajmet të cilat po qarkullojnë në mënyrën si po prezantohen, janë të papranueshme dhe thellësisht shqetësuese, sipas tij jo për shkak të përmbajtjes së tyre, por për mënyrën e trajtimit publik dhe shqetësimit të panevojshëm që po u bëhet këtyre rasteve.

“Në cilësinë e Kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, si autoritet shtetëror përgjegjës për çështjen e personave të zhdukur, dua të theksoj me përgjegjësi të plotë se ne nuk kemi nevojë për glorifikim mediatik, kemi nevojë për rezultate konkrete”, ka thënë ai në reagim.

Ai tutje ka shtuar se familjet e personave të zhdukur nuk kanë nevojë të tronditen dhjetëra herë nga tituj bombastikë, por të informohen saktësisht dhe në kohë, vetëm kur ka të dhëna të verifikuara.

“Kosova ka ndërmarrë mbi 2,800 gërmime në lokacione të ndryshme gjatë viteve në kërkim të të zhdukurve. Ky është një proces serioz, i ndjeshëm dhe i dhimbshëm për familjarët, ndaj është e papranueshme që të krijohet ankth dhe pritshmëri pa përfunduar ende procesi i gërmimit”, theksohet në vijim të komunikatës.

Hoti ka theksuar se lajm është gjetja e trupave të zhdukur e jo gërmimi i një lokacioni prandaj sipas tij Komisioni nuk i njofton familjet dhe opinionin publik para se të ketë gjetje konkrete.

“Prandaj, kërkoj mirëkuptim të plotë nga mediat që në raste të tilla të shmangin publikime të parakohshme e sensacionaliste që cenojnë dinjitetin e familjeve dhe procesin.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve relevante, qytetarëve dhe mediave të ndalojnë praktikën e përhapjes së panikut dhe të presin informimin zyrtar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

“Siç është theksuar në një prononcim për media sot, nga Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, z. Kushtrim Gara, ky është lokacioni i dhjetë i trajtuar në kuptim të gërmimit vlerësues vetëm gjatë këtij viti. Vetëm përmes kanaleve zyrtare të Komisionit, do të jepen informatat e verifikuara, dhe vetëm ashtu do të ruajmë besimin, seriozitetin dhe dinjitetin e kësaj çështjeje kaq të ndjeshme për shoqërinë tonë”, është shprehur në fund të reagimit të tij Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Seanca e parë plenare e Kuvendit të Shqipërisë pas zgjedhjeve…