Angazhimi i dy qeverive eliminoi burokracinë

20 janar 2019 | 12:34

Lulzim Rafuna, këshilltar për tatime dhe doganë i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se bashkëpunimi ekonomik Shqipëri – Kosovë asnjëherë nuk ka qenë më i mirë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Rafuna ka theksuar se të dyja qeveritë kanë bërë shumë për ta eliminuar burokracinë, megjithatë ai thotë se nuk duhet të jemi të kënaqur me kaq, pasi mund të bëhet më shumë.

Ai ka thënë se hapja e Zyrës Doganore e Doganës së Kosovës në portin e Durrësit do t’i ndihmojë shumë tregtisë mes dy vendeve, por edhe më gjerë.

Rafuna ka thënë se marrja e vendimeve nga të dy shtetet dhe zbatimi i marrëveshjeve nuk ka qenë asnjëherë më i madh dhe më i shpejtë

“Epoka e re”: Z. Rafuna, Dogana e Kosovës ka hapur këtë javë Zyrën Doganore në Portin e Durrësit. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?
Rafuna: Ka qenë një vullnet dhe përkushtim shumë i madh i kryeministrit Rama për t’i ofruar Qeverisë së Kosovës në shfrytëzim portin e Durrësit për Doganën e Kosovës. Pas një pune shumë të madhe edhe nga Kosova, nga ana e ministrit të Financave, Bedri Hamza, më në fund kjo u bë realitet. Tani në mënyrë zyrtare është hapur edhe Zyra Doganore e Doganës së Kosovës në portin e Durrësit. Kjo do të thotë se është një vendim i veçantë dhe i madh në çdo pikëpamje, sidomos në aspektin e zhvillimit ekonomik. Kjo zyrë do t’i ndihmojë shumë tregtisë mes dy vendeve tona dhe më gjerë. Më pas do të ketë efekt pozitiv për lehtësimin e të bërit biznes për arsye se shpenzimet dhe koha do të jenë shumë më të vogla për biznesin sesa që ishin deri më tani. Por, më duhet të potencoj me këtë rast se është vetëm hapi i parë i cili është filluar me procedurën e transitit. Me avancimin e Doganës së Kosovës si në pikëpamje të IT-së dhe kapaciteteve njerëzore duhet avancuar edhe në procedura të tjera. Qeveria e Shqipërisë, nën udhëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ka ofruar në shfrytëzim për Qeverinë e Kosovës, për Zyrën Doganore të Doganës Kosovës, të gjitha procedurat doganore. Është për t’u admiruar një vullnet i këtillë i kryeministrit Rama për ta avancuar bashkëpunimin me Kosovën, me mundësitë dhe obligimet që ka marrë përsipër, që ta thellojmë zhvillimin ekonomik.

Epoka e re”: Sa po e shfrytëzon Kosova këtë mundësi që ka ofruar kryeministri Rama?
Rafuna: Kosova është duke e shfrytëzuar këtë mundësi dhe po shkon duke u avancuar bashkëpunimi, sidomos në dy vjetët e fundit. Nëse e shkoni mënyrën e marrjes së vendimeve, marrëveshjeve dhe zbatimin e tyre, ky bashkëpunim nuk ka qenë asnjëherë më i madh dhe më i shpejtë nga ana e institucioneve. Ne duhet të pajtohemi që jemi dy tregje të vogla, ndoshta jo në krahasim me Malin e Zi dhe Maqedoninë, por me fqinjin tjetër po, andaj duhet të avancojmë që në kuptim të zhvillimit ekonomik të funksionojmë si një treg i vetëm në mënyrë që të kemi një treg prej pesë milionë eurosh dhe të jemi tregu më konkurrent në këtë pjesë të Evropës në Ballkan. Në këtë mënyrë do të jemi edhe më atraktivë për investime të huaja. Përveç kësaj, ne kemi një mundësi unike që duhet shfrytëzuar për shkëmbimin e produkteve në mes të dy shteteve tona në periudha të ndryshme për arsye të klimës dhe, nëse nuk rrisim koston me procedura dhe dokumente të panevojshme, pa dyshim se do të avancohet bashkëpunimi. Në vazhdën e kësaj është bërë edhe avancimi i procedurave doganore në Morinë-Vermicë dhe hapja e Zyrës Doganore në portin e Durrësit. Për të gjitha këto duhet falënderuar edhe ministrin Bedri Hamza i cili në një afat shumë të shkurtër kohor ka filluar t’i implementojë të gjitha obligimet e marra vetëm që ta ndihmojë zhvillimin e biznesit.

“Epoka e re”: Cilat do të jenë kriteret bazë të këtij operimi?
Rafuna: Nuk ka ndonjë kushtëzim nga ana e Qeverisë së Shqipërisë. Siç e thashë edhe më parë, porti i Durrësit është dhënë në shfrytëzim pa ndonjë kusht nga ana e Qeverisë së Shqipërisë. Dogana e Kosovës ka filluar procedurën e transitit, si procedura më e lehtë për të avancuar tutje dhe kjo kompleton figurën e lehtësisë së të bërit biznes kur kihet parasysh që në të njëjtën kohë kemi bërë edhe avancim në kufirin Vërmicë – Morinë, duke i vendosur në objekt të përbashkët zyrtarët doganorë të dy doganave, Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo nënkupton se nuk do të ketë dy ndalje, nuk do të ketë dy kontrolle dhe nuk do të ketë dy pagesa (shpenzime dhe dokumente për agjentët doganorë të të dyja vendeve), por të gjitha këto do të shkurtohen në një procedurë, një kontroll për dy administrata dhe një agjent doganor për vetëm një palë dokumente. Kjo përkthehet jo vetëm në kohë më të shkurtër që është prapë kosto më e shkurtër për biznesin, por edhe eliminim të burokracisë dhe dokumente më pak.

“Epoka e re”: Për çfarë kapacitetesh të operimit mund të flasim?
Rafuna: Në portin e Durrësit, në të gjitha terminalet, duke përfshirë edhe Porto Romano, në muaj sillen nga 11 000 kontejnerë deri në 16 300, varësisht muajit të vitit. Sa iu përket kushteve të punës, përkatësisht të operimit, të dyja doganat kanë sistem të IT-së shumë të avancuar dhe i gjithë dokumentacioni është elektronik. Kjo mundëson nga çdo vend të dërgohen deklarata doganore dhe dokumentet e mallit në formë elektronike në Doganë. Pastaj, falë marrëveshjeve për bashkëpunim, por edhe reformave që janë bërë në dy administratat doganore, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, ka avancim në mënyrën e punës sipas praktikave më të reja të BE-së. Kjo mundëson që të gjitha procedurat të zhvillohen pa ndonjë sfidë.

“Epoka e re”: A është bërë ndonjë plan projekt se si do të ndikojë kjo në lehtësirat biznesore mes dy shteteve?
Rafuna: E thashë edhe më parë, përfitimet e biznesit do të jenë shumë më të mëdha sesa që ishin deri më sot. Kjo nënkupton që për mallin i cili ka destinacion Kosovën që nga momenti i paraqitjes në portin e Durrësit do ta fillojë procedurën pranë Doganës së Kosovës dhe me agjentë doganorë kosovarë që nuk ka qenë rasti deri më tani. Pra, është eliminuar komplet procedura fizike e Doganës së Shqipërisë. Kjo tani e lehtëson shumë mënyrën e të bërit biznes.

“Epoka e re”: Sa i përket kostos së skanimit dhe procedurave të tjera, do të jenë të njëjta apo…?
Rafuna: Këto janë çështje që besoj se do të trajtohen në të ardhmen për ta parë edhe këtu sa ka mundësi të bëjmë ndonjë lehtësim.

“Epoka e re”: Pse u anashkalua porti i shumëfolur i Shëngjinit?
Rafuna: Në këtë rast ne po flasim për lehtësimin e të bërit biznes. Të gjithë kontejnerët që kanë destinacion Kosovën vijnë përmes portit të Durrësit, për këtë arsye edhe Zyra Doganore e Doganës së Kosovës është hapur në portin e Durrësit.

“Epoka e re”: Kjo Zyrë Doganore e Doganës së Kosovës u cilësua si bashkim i tregjeve Kosovë – Shqipëri. A mund të pritet që partneri kryesor i shkëmbimeve tregtare për Kosovën të jetë Shqipëria?
Rafuna: Jam shumë i lumtur që bashkëpunimi ekonomik Shqipëri – Kosovë dhe anasjelltas asnjëherë nuk ka qenë më i mirë dhe shifrat po tregojnë rritje çdo vit në të dyja anët. Se a është i mjaftueshëm, natyrisht se jo. Ka hapësirë shumë për të bashkëpunuar mes bizneseve në çfarëdo forme të organizimit. Më pas duhet punuar që të avancojmë në shkëmbimin më të madh edhe në strukturë më të llojllojshme të mallit. Duhet punuar në mënyrën dhe metodologjinë e avancimit të ofrimit të produktit tonë, por edhe të Shqipërisë te konsumatori, në mënyrë që të fillojë konsumatori të familjarizohet me produktet tona, që t’i zëvendësojmë ato me të huajat. E gjithë kjo punë kërkon përkushtim dhe avancim tutje jo vetëm të institucioneve shtetërore, por edhe të komunitetit të biznesit, medieve, bizneseve individuale, universiteteve etj. Të dyja qeveritë kanë bërë shumë për ta eliminuar burokracinë. Dhe, nëse e shikojmë me të kaluarën, ka shumë lehtësira, por prapë nuk duhet të jemi të kënaqur, për arsye se ende mund të bëjmë edhe më shumë, por që nevojitet, siç e thashë, edhe mbështetje dhe hapa konkretë edhe nga komuniteti i biznesit që të jetë më agresiv jo vetëm me kërkesa ndaj institucioneve, por edhe për ofrimin e produktit të konsumatorit për ta fituar besimin e konsumatorit dhe për t’i zëvendësuar produktet e huaja me ato vendore.

Albulena S. MAVRAJ

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe kryetar i Partisë…