Anglia kualifikohet në finale të ‘Euro 2020’

07 korrik 2021 | 23:42

Kombëtarja e Anglisë e ka shkruar historinë duke u kualifikuar për herë të parë në finale të një Kampionati Evropian.

Këtë sukses skuadra përfaqësuese e Anglisë e arriti, pasi e mposhti Danimarkën në gjysmëfinale (2-1), pas vazhdimeve.

Ishin danezët ata që shënuan të parët në ndeshje në minutën e 30-të, kur nga gjuajtja e lirë realizoi Mikkel Damsgaard. Ndërsa rezultati u barazua nëntë minuta me vonë me autogolin e Simon Kjaer. Në pjesën e dytë nuk pati gola të tjerë të shënuara dhe ndeshja shkoi në vazhdime dy herë nga pesëmbëdhjetë minuta.

Në minutën e 104-të, Sterling u pengua në zonën e rreptësisë dhe gjyqtari kryesor akordoi penallti për Anglinë. Tentimin e parë të kapitenit Harry Kane e priti, Kasper Schmeichel, por nga topi i rikthyer shënoi sulmuesi anglez për rezultati 2-1.

Pas golit të epërsisë, Anglia ishte shumë e kujdesshme në fazën defensive duke mos lejuar danezët që të rrezikojnë seriozisht portën e Pickfordit. Rastin me të mirë për Danimarkën në pjesën e dytë shtesë e pati sulmuesi i Barcelonës, Martin Braithwaite goditjen e të cilit e ndali portieri anglez.

Pavarësisht eliminimit ky është një sukses i madh për Danimarkën. Në finalen që zhvillohet të dielën nga ora 21:00, Anglia do të përballet me Italinë. Kjo e fundit e mposhti të martën Spanjën, pas ekzekutimit të penalltive.

 /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Erza Berisha shpall te pa vlefshme certifikaten e testit matures…