ANTIAMERIKANIZMI – GANGRENË E SHËNDETIT TË SHTETIT TË KOSOVËS

11 mars 2020 | 08:40

Ismail SYLA

Është neveritëse kur në emër të mendimit kritik, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri shfaqet një lloj fryme antiamerikane, e cila kohëve të fundit ka filluar të shpërthejë publikisht në të gjitha platformat e komunikimit, nga debatues, politikanë, analistë, gazetarë, filozofë etj.

Fryma perëndimore – frymë pro Amerikë

Fryma perëndimore e shqiptarëve të Kosovës u kristalizua veçanërisht në fillim të dekadës së fundit të shekullit njëzet. Në krye të demokracive të botës së civilizuar perëndimore ishin dhe janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shqiptarët e Kosovës, edhe pse të pafuqishëm përballë Serbisë së Millosheviqit në aspektin ushtarak, me mençuri u rreshtuan dhe besuan në vlerat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kosova realisht ishte viktimë e madhe e regjimit serb, por e vërteta dhe drejtësia e çështjes së Kosovës gjithnjë e më shumë po dilte në dritë.

Sa më shumë rritej dhuna serbe, aq më shumë thellohej besimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pra, Kosova, pafuqinë e saj reale, e kompensoi me orientim të qartë politik dhe strategjik.

Një moment i qëndrueshmërisë së frymës amerikane u sprovua në vitin 1999 kur drejtuesit e UÇK- së pranuan pjesëmarrjen në Konferencën e Rambujesë. Ata nuk ranë pre e asnjë fryme dhe ndikimi dogmatik, por lexuan drejt momentin historik.

Arroganca e politikës serbe, demonstrimi i dhunës, vrasjet, djegiet, masakrat, aktet e gjenocidit mbi popullatën e Kosovës, ranë në kundërshtim të madh me botën demokratike, gjegjësisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me disa shtete anëtare të NATO-s.

Pra, të qenit viktimë reale, rezistenca paqësore, rezistenca e armatosur dhe mençuria në orientimin e drejtë kah vlerat euroatlantike në krye me SHBA-në bënë që Kosova të triumfojë për herë të parë në historinë e saj mijëvjeçare.

Në një moment NATO u aktivizua dhe goditi caqet policore dhe ushtarake serbe, duke bërë që Kosova të çlirohet nga administrata e Beogradit.

SHBA-ja është thelbi i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Demarkacioni dhe tarifa

Rasti i demarkacionit me Malin e Zi dhe taksa ndaj mallrave të Serbisë, janë veprime që dhanë shkas për t’u përvijuar në Kosovë fryma antiamerikane, ky lazdrimllëk primitiv

Arroganca e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës arriti deri në atë shkallë, sa nuk u besonin as ekspertëve ushtarakë të NATO-s për vijën kufitare midis Kosovë dhe Malit të Zi. Ata u shprehën hapur kundër opinionit të Departamentit të Shtetit, duke konsideruar se këto gjëra i dinë më mirë se SHBA-ja.

Ky injorim bëri që Kosova të humb kot tri vjet deri në votimin e demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, duke humbur hapat në procesin e liberalizimit të vizave.

Taksa kundër prodhimeve me origjinë nga Serbia po ashtu ka krijua një moment dhe shkas ku çdo ditë po shfaqen mendime me frymë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke bërë që të kemi një situatë të re në Kosovë në raport me shtetin më miqësor të Kosovës.

Kundërshtimi i propozimeve dhe kërkesave të administratës së SHBA-ve për heqjen e tarifave doganore për produktet me origjinë nga Serbia nga qeveria e Kosovës përgjatë viti 2019 janë të njohura.

Qeveria Haradinaj ra për këtë arsye. Qeveria aktuale po ballafaqohet po ashtu me mos heqjen e tarifës, duke e intensifikuar frymën antiamerikane në Kosovë.

Kalimi i të drejtës nga ana e tjetrit

Që nga angazhimi i madh ushtarak dhe politik i SHBA-së e deri tek shfaqja e e psikologjisë së lazdrimllëkut kanë kaluar 21 vjet.

Deri sot Kosova ka qenë vendi më pro-amerikan në botë. Deri dje politika e Beogradi ishte e personifikuar dhe i identifikuar si antiamerikane.

Kosova nuk e ka luksin as të Francës as të Gjermanisë që ta “kundërshtojë” dhe rivalizojë Amerikën, sepse këto dy shtete të fuqishme evropiane nuk rrezikohen nga Serbia.

Disa personazhe, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, flasin për llojet e politikës së Amerikës, thua se janë kandidatë në garë për presidentë të SHBA-së dhe i numërojnë dështimet e saj.

Prej vitit 2014, kur filloi cikli i ngërçeve politike në Kosovë, Serbia në planin ndërkombëtar ka avancuar dukshëm më mirë. Ka ndonjë shtet që ndihet me faj për bombardimin e saj.

Sot Serbia përfiton nga veprimet tona, ashtu siç ne përfituam në vitet e dekadës së fundit të shekullit njëzet nga veprimet e saj.

Kêshtu, me këtë frymë, po rrezikojmë që tashmë Beogradi ta merr dhe ta luajë rolin e viktimës.

Kjo frymë antiamerikane sikur po shkon në drejtim përmbysës, atë të kalimit të së drejtës nga ana e tjetrit.

Derisa Kosova po shfaq arrogancë, Serbia po vazhdon ta luajë mirë rolin e të qenit viktimë. Presidenti serb Vuçiq deklaron me dinakëri se Serbia është e vogël përballë Gjemanisë së Merkelit, e vogël përballë Amerikës, e për të qenë ironia më e madhe, ai hiqet se po dëmtohet rendë edhe nga tarifa e Kosovës.

Ky antiamerikanizëm primitiv është në kundërshtim me interesat nacionale të Kosovës. Kjo frymë antiamerikane është goditja më e rëndë në shëndetin e shtetit të Kosovës.

Është gangrenë dhe kancer njëkohësisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vizita e një delegacioni të Kuvendit të Kosovës në Shtetet…