“Antigonat”, shfaqje në tragjedinë e së cilës ngjizet dhe shpaloset dhimbja njerëzore

08 prill 2023 | 14:49

Nga: Blerim Valla

“Antigonat”, shfaqje premierë në Teatrin “Hadi Shehu” të Gjakovës

Kjo shfaqje u dha premierë në Ditën Botërore të Teatrit në Teatrin “Hadi Shehu” të Gjakovës, njëherësh u dha në ditën e zezë të familjes Qerkezi, ku zonjës Ferdonije Qerkezi, më 27 mars 1999, i janë marrë burri me katër djemtë. Të dyja këto data kanë pasur qëllim misionin e teatrit si medium i gjallë, i drejtpërdrejtë, ku shumë bukur shpalosen probleme dhe çështje reale dhe shumë të rëndësishme si në këtë rast ku shpaloset dhimbja njerëzore.

“Antigonat”, e regjisorit Erson Zymberi, në këtë shfaqje janë nënat, gratë e motrat tona të cilat brenda vetes janë të mbushura përplot me dhimbje dhe të cilat asnjëherë nuk mund ta harrojnë pamjen e tmerrit, të mizorive, të dhimbjes e të trishtimit nga lufta e fundit në Kosovë, kur humbën më të dashurit e tyre dhe ende sot e asaj dite nuk mund t’i gjejnë. Pra, për bukuri ndërthuret tragjedia e kohës antike me tragjedinë e shekullit njëzet që ndodhi në hapësirën tonë.

Shfaqja “Antigonat” është një shkrirje e dy dramave të njohura, asaj të Sofokliut dhe të Jean Anouilh, por që dramaturgu Jeton Neziraj këtë herë ka bërë një lexim ndryshe, duke bërë një dramatizim interesant dhe duke krijuar një lëndë skenike gati të re.

Vepra “Antigona” e Zhan Anuil është një përshtatje e tragjedisë “Antigona” të Sofokliut. Ajo është shkruar në kohën kur nazistët hyjnë në Francë dhe e pushtojnë atë më 1942 dhe është shfaqur për herë të parë para publikut më 1944. Kurse Sofokliu e shkroi “Antigonën” në vitin 441 p.e.s., dhjetë vjet përpara “Edipit mbret”.

Dhe historia gjithmonë përsëritet edhe në kohën e sotme. Sikurse përsëriten edhe fatet njerëzore, ashtu siç përsëriten edhe dramat e tragjeditë njerëzore. Por kësaj here me këtë premierë të teatrit del një mesazh shumë sublim dhe i fuqishëm – se njerëzimi gjithmonë duhet kujtuar dhe nuk duhet harruar të keqen, dhunën, vrasjet… dhe se në çdo kohë duhet shpalosur dhimbja njerëzore!

Në këtë premierë para publikut dolën shumë mesazhe për një dialektikë që ndodh gjithmonë midis së mirës dhe së keqes, midis pushtetit dhe moralit, midis padrejtësive dhe idealizmit, lufta midis jetës dhe vdekjes.

Njerëzit në dëshirën për t’u bërë zota harrojnë që janë njerëz dhe mendojnë se janë zota por, në fakt, janë aq të vegjël sa duan të jenë zota të mëdhenj për t’i falur fajet e tyre. Ata bëhen gjithçka që mund të ekzistojë në mendjen e tyre, por jo njerëz. Këta njerëz kanë dhe do të kenë gjithmonë etje për pushtet, por harrojnë që me aq forcë që duan pushtetin edhe vdesin shumë shpejt.

Skenografia shumë simbolike bëri që çdo gjë dukej si në vendin e saj, dhe për ta plotësuar këtë shfaqje tragjike nuk mungonte kostumografia shumë interesante, e cila pastaj u përplotësua nga muzika shumë në nivel dhe e cila arriti të përcjellë mesazhe të forta. Edhe koreografia luajti një rol të madh që shfaqja të përcillet me interes nga publiku.

Edhe kasta e aktorëve kishte të veçanta. Ishin Vlora Dervishi, Bujar Ahmeti, Vlera Pylla, Besfort Berberi, Myrvete Kurtishi, Edmond Hafizademi, Arbies Komoni, Altina Kusari që shkëlqyen me rolet e tyre, sidomos e madhja Myrvete Kurtishi – primadona e teatrit gjakovar, por edhe Vlora Dervishi në rolin e Antigonës dhe Bujar Ahmeti në rolin e Kreonit, sikurse edhe të gjithë aktorët e tjerë, të rinj në moshë, por shumë përvojë dhe të dëshmuar tashmë nëpër skenat mbarëshqiptare.

(Ky tekst i kushtohet Behar Zenelit, aktorit të Teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës dhe regjisorit të njohur, i cili vdiq në moshën 51-vjeçare, menjëherë pas premierës së kësaj shfaqjeje, nga një sulm në zemër, më 29 mars 2023)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analistja e Amnesty International dhe avokatja e njohur Marija Ristic…