Apeli rrëzoi vendimin për shtrenjtimin e rrymës, kërkohet shkarkimi i bordit të ZRrE-së

19 maj 2022 | 11:39

Opozita ka kërkuar që qytetarëve t’u kthehen menjëherë paratë që i kanë paguar pas  shtrenjtimit të faturave të energjisë elektrike.

Kjo kërkesë e opozitës ka ardhur pasi Gjykata e Apelit ka vërtetuar të mërkurën vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

“Kërkojmë që urgjentisht qytetarëve t’iu kthehen mjetet që u janë vjedhur”, ka thënë deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.

Ai ka kërkuar llogari ligjore dhe politike si dhe “të shkarkohet bordi i ZRrE-së”.

“Cili do të jetë veprimi i kthimit të parave te qytetarët?”, ka pyetur Mustafa.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se “një vepër e tillë duhet të ndiqet penalisht”.

Shkarkimin e bordit të ZRrE-së e ka kërkuar edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Do të kemi në fuqi tarifat e vjetra të energjisë dhe ne si deputetë nuk duhet të rrimë duarkryq karshi kësaj situate”.

“Këta njerëz tashmë me vendim të gjykatës është vërtetuar se janë në proces e sipër që të shkaktojnë një dëm të madh”.

“Këta njerëz i kanë dëmtuar më shumë se 450 mijë familje. Kjo nuk duhet të tolerohet”, ka thënë Tahiri.

Apeli në aktvendimin e publikuar dje ka theksuar se ankesa e ZRrE-së është refuzuar si e pabazuar.

I gjithë procesi në gjykatë ka nisur pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës dëmton qytetarët e vendit. Kështu, më 9 prill gjykata ka marrë vendim për pezullim, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe këtë në muajin prill janë faturuar me çmime të rritura.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Isak Shabani e ka shprehur zhgënjimin e…