Arabia pezullon hyrjet në Mekë e Medinë për shkak të koronavirusit

27 shkurt 2020 | 11:24

Arabia Saudite i ka pezulluar përkohësisht hyrjet për pelegrinazhin Umrah në qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës, për shkak të frikës së përhapjes së mundshme të koronavirusit.

Autoritetet saudite kanë pezulluar hyrjen në vend edhe turistëve që vijnë nga vende me koronavirus.

Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se hapat po merren për të mbrojtur qytetarët dhe turistët.

Ajo ka thënë se masat janë të përkohshme dhe se i nënshtrohen vlerësimit të vazhdueshëm.

Arabia Saudite nuk ka raportuar asnjë rast me koronavirus, megjithëse Kuvajti fqinj ka thënë se një shtetas saudit, 61 vjeç, ka dalë pozitiv në atë vend.

Umrah, i cili tërheq dhjetëra-mijëra myslimanë të devotshëm çdo vit, është një pelegrinazh në Mekë që, ndryshe nga Haxhi, mund të bëhet në çdo kohë të vitit, raporton “Rel”.

Koronavirusi, i emëruar COVID-19, është shfaqur për herë të parë në qytetin Vuhan të Kinës, në muajin dhjetor.

Që atëherë, dhjetëra vende në Azi, Evropë dhe Lindje të Mesme kanë raportuar rastet e tyre.

Mbi 2 700 njerëz – pjesa më e madhe e tyre në Kinë – kanë vdekur nga koronavirusi.

Numri i të infektuarve në gjithë botën ka kaluar 80 000.

Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se Uashingtoni…