Arabia Saudite fajëson Iranin për sulmin në Gjirin e Omanit

16 qershor 2019 | 14:42

Mbreti i Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman, ka fajësuar Iranin për sulmet ndaj dy cisternave të naftës në Gjirin e Omanit dhe ka thënë se vendi “nuk do të hezitojë të përballet me kërcënime kundër popullatës apo interesave”.

“Regjimi iranian nuk e ka respektuar vizitën e kryeministrit të Japonisë në Teheran si dhe derisa po qëndronte atje, ai sulmoi dy cisternat, një nga të cilat ishte e Japonisë”, ka thënë Muhammed bin Salman, në një intervistë.

“Ne nuk duam luftë në rajon, por ne nuk do të hezitojmë të marrim masa për ndonjë kërcënim ndaj popullit tonë, sovranitetit, integritetit dhe interesave vitale”, është shprehur ai.

Tensionet kanë shënuar rritje pas dy sulmeve të fundit ndaj dy anijeve në rajonin e Gjirit Persik, për të cilën Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tjerë, kanë fajësuar Iranin.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, më 14 qershor akuzoi Iranin për përgjegjësinë ndaj sulmit të 13 qershorit ndaj dy cisternave të naftës në Gjirin e Omanit.

Incidenti ka ndodhur gjatë vizitës së kryeministrit japonez, Shinzo Abe në Iran.

Ushtria amerikane po ashtu ka publikuar një video, që tregon, siç thuhet, një ekip nga patrulla e Gardës Revolucionare të Iranit duke hequr një minë të pashpërthyer nga njëra anije, pas sulmit.

Irani ka mohuar përfshirjen në sulm.

Më 16 qershor, Teherani ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit britanik, pasi Londra zyrtare ka thënë se pajtohet me ShBA-në për akuzat ndaj Iranit.

Diplomati Iranian Mahmoud Barimani, i ka thënë ambasadorit Robert Macaire se Teherani kundërshton fuqishëm akuzat e verbra të cilave iu është bashkangjitur Britania.

Arabia Saudite po ashtu ka kundërshtuar Iranin duke bërë thirrje për ulje të tensioneve në rajon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Pejën e Haxhi Zekës dhe të shumë patriotëve që…