Armin Laschet zgjedhet në vend të Angela Merkel në krye të CDU-së

16 janar 13:32

Partia konservatore gjermane, Unioni Demokristian (CDU), ka zgjedhur Armin Laschet, kryetar të ri të partisë.

Laschet, 59 vjeç, ka mposhtur në garën zgjedhore konservatorin, njëherësh rivalin e kancelares Angela Merkel, Friedrich Merz.

Në konventën partiake, që u mbajt online për shkak të pandemisë së koronavirusit, Laschet fitoi 521 vota dhe Merz 466. Ndërkaq, Nobert Roettgen, u eliminua në raundin e parë të votimeve.

Zgjedhjet e brendshme në CDU vijnë pasi kanclerja Angela Merkel ka paralajmëruar largimin nga politika më vonë gjatë këtij viti.

Në fjalimin e tij pas fitores, Laschet u zotua se do të bëjë gjithçka që partia e tij të dalë mirë në zgjedhjet e ardhshme rajonale dhe se ai do të mbajë postin e kancelarit.

“Për më tepër, zgjedhje më të rëndësishme janë para nesh”, tha ai, i cili ka qenë nënkryetar i CDU-së që prej vitit 2012.

Delegatët për herë të parë mbajtën konventën partiake online, për shkak se masat e vendosura kundër koronavirusit ndalojnë mbajtjen e tubimeve.

Gara në CDU vjen në një vit të rëndësishëm për Gjermaninë, e cila do të mbajë zgjedhje nacionale në shtator.

Merkel, e cila ka thënë se do të tërhiqet nga politika, ka mbajtur katër mandate si lidere e partisë dhe 16 vjet si kancelare.

Gjatë nisjes së konferencës më 15 janar, Merkel bëri thirrje për unitet.

“Shpresoj që do të zgjidhet një ekip që merr në duar të veta fatin e partisë sonë dhe punon me të gjithë anëtarët për të gjetur përgjigjet e duhura për sfidat e së ardhmes”, tha Merkel.

Më 2018, Merkel njoftoi se do të tërhiqej nga posti i kryetares së CDU-së, teksa kjo parti nisi të humbë besimin dhe u sfidua lidhur me pozicionin ndaj ekstremit të djathtë, që është në rritje.

Ajo u zëvendësua nga kandidatja e saj e preferuar Annegret Kramp-Karrenbauer. Por, Kramp-Karrenbeuer dha dorëheqje në shkurtin e kaluar, për shkak të një skandali lidhur me menaxhimin e zgjedhjeve rajonale.

Që atëherë, CDU-ja ishte detyruar që të anulojë dy takime për të zgjedhur liderin e ri, për shkak të krizës me pandeminë e koronavirusit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në vigjilje të super sfidës kundër Interit, Alvaro Morata ka…