Arrestimi i Mujecit për drogë, Berisha kërkon dorëheqjen e Sveçlës dhe Haxhiut
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla.
Kjo kërkesë e Berishës vjen pas arrestimit të asamblistit të Vetëvendosjes, Besnik Mujeci, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në shitjen e narkotikëve në Shqipëri.
“Dorëheqja e Sveçlës duhet të ndodh për të mos u penguar hetimet si rezultat i afërsisë me eksponentët e organizimit kriminal të trafikimit me drogë tani, ashtu siç po tentohet tejkalimi i aferës ‘incizimet’, ku flitej për trafikim armësh e edhe blerje vrasësish e dëshmitarësh dhe koordinim politikash me armiqtë e sigurisë rajonale dhe të Amerikës”, ka shkruar Berisha në “Facebook”.
Po ashtu, Berisha ka kërkuar edhe dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Postimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Berishës:
Po të mos arrestohej kontrabandisti drogës nga policia shqiptare, edhe ky do vazhdonte aktivitetin politik si ministrja Hajdari, ambasadori Berishaj, etj.
Fatbardhësisht që autorin e krimit të trafikimit më drogë, (asamblist dhe shok i Gëzim Sveçlës, kushëri i ministrit Sveçla, siç raportojnë mediat), e kapi në vepër Policia e Shqipërisë dhe nuk mund ta fshehin nga drejtësia. Përndryshe, policia dhe drejtësia e Kosovës do ishin penguar të veprojnë. Ashtu siç nuk guxuan ta arrestojnë ministren Rozeta Hajdari për krimin e organizuar e korrupsionin me rezervat e shtetit, në grurë e vaj.
Përmbushja e kërkesës ndërqeveritare Kosovë – Shqipëri, për kalim të pa penguar të automjeteve dhe transporteve, nuk do të thotë infrastrukturë lehtësuese për trafikime kriminale.
Prandaj raportet e përfolura të ministrit të Brendshëm, nuk janë të rastit, ndaj i njëjti duhet të dorë hiqet apo edhe të shkarkohet por jo nga përgjegjësia.
Dorëheqja e Sveçlës, duhet të ndodh për të mos u penguar hetimet si rezultat i afërsisë me eksponentët e organizimit kriminal të trafikimit me drogë tani, ashtu siç po tentohet tejkalimi i aferës “incizimet”, ku flitej për trafikim armësh e edhe blerje vrasësish e dëshmitarësh dhe koordinim politikash me armiqtë e sigurisë rajonale dhe të Amerikës.
Po ashtu bazuar në opinionin e ekspertëve të drogave, se kontingjenti i kapur në Shqipëri, është drogë e cila duhet të jetë prodhuar në laboratore, atëherë kjo na asocion në laboratorin e përfolur të këshilltares së ministres së Drejtësisë në Prishtinë, prandaj, dorëheqje duhet të jap edhe vetë ministrja Haxhiu!? Po të mos arrestohej kontrabanduesi i drogës nga Policia shqiptare edhe ky do kishte vazhduar aktivitetin politik si ministrja Hajdari, Haxhiu, Sveçla, ambasdori Berisha, e tjerë që po gjenerojnë krimin e organizuar e korrupsionin, kurse qeveritarët po e mbulojnë atë.
Prandaj, kjo na qon në dilemën se, meqë droga u kap e laboratori nuk dihet, mos ka ndikuar Qeveria e Kosovës në Policinë e Kosovës, që të mos zbulohet laboratori drogës?!
Kështu që, si qytetarë i preokupuar me përhapjen e dukurisë së përdorimit të drogave nga rinia në shkolla, dhe si ligjvënës e komisionar për siguri e mbrojtje, u bëj thirrje Prokurorisë së shtetit që të veproj në zbardhjen e çështjes, duke bashkëpunuar edhe me Prokurorinë e Shqipërisë, që të gjenden të gjithë të përfshirët në ketë aferë dhe të vihen para drejtësisë.
Ndërsa animoziteti politik e demokratik i partive politike parlamentare dhe jashtë parlamentare, përkatësisht i shoqërisë civile, po ia mundëson mbijetesën në keq/qeverisje Kurtit, duke kaluar nga një skandal në tjetrin, në procesin e falimentimit ekonomik, social, politik dhe të sigurisë së shtetit të Kosovës.