Arrestohen dy të dyshuarit për grabitjen e armatosur në Prishtinë

04 janar 2019 | 16:02

Policia e Kosovës (PK) ka njoftuar se ka arrestuar A. Braha dhe L. Drenovci të moshës 19-vjeçare, si të dyshuar për grabitjen e armatosur të ndodhur në pasditen e 3 janarit në rrugën “Mustafa Venhari” në Prishtinë.

Atyre me rekomandim të prokurorit u është caktuar masa e arrestit prej 48 orësh.

“Më datën 03.01.2019 rreth orës 17:30 në rrugën “Mustafa Venhari” në Prishtinë, në një nga dyqanet e kësaj rruge ka ndodhur një grabitje e armatosur. Nga informacionet e përpunuara dyshohet që kjo grabitje të jetë kryer nga katër persona të maskuar dhe të armatosur të cilët me forcë kanë arritur të marrin arkën e këtij dyqani. Menjëherë pas marrjes së informacionit të parë, policia e rajonit të Prishtinës ka ndërmarrë  të gjitha veprimet operative, ato të kërkimit si dhe të hetimit, me qëllim të lokalizimit dhe kapjes së personave të dyshuar”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas policisë, njëri prej të arrestuarave është shtetas i Shqipërisë.

“Reagimi i shpejtë i policisë si dhe masat e koordinuara operative, kanë rezultuar me kapjen në ikje e sipër të të dyshuarit; A. Braha, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Shqipërisë, që dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në rast, gjetjen e një qante krahu brenda së cilës janë gjetur maskat, dorezat, një armë, dy thika, si dhe në një perimetër më të gjerë është gjetur arka e cila është grabitur nga dyqani në fjalë. Ndërkohë që është zgjeruar horizonti i hetimit policia ka kryer edhe katër operacione të bastisjes në lokacione të ndryshme, me ç’ rast pas identifikimit ka arrestuar edhe të dyshuarin e dytë: L. Drenovci, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, që dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në këtë rast”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pjesë nga libri “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta dhe pushteti”,…