Arrestohen pesë persona për kontrabandim të emigrantëve me avionë privatë

14 shtator 2022 | 23:33

Pesë persona janë arrestuar për kontrabandim të emigrantëve në Evropën Perëndimore me avionë privatë, thotë policia italiane.

Të dyshuarit u dhanë emigrantëve letra diplomatike të rreme për kombin e Karaibeve të Shën Kitts dhe Nevis.

Avionët privatë, të nisur zyrtarisht për në Karaibe, i çuan ata nga Turqia në një aeroport evropian, ku emigrantët deklaruan identitetin e tyre të vërtetë dhe kërkuan azil.

Policia beson se banda paguan rreth 10 mijë euro për person.

Pesë të dyshuarit janë arrestuar në Romë dhe Bruksel. Dy të dyshuar të tjerë janë ende në arrati.

Një italian, tre burra egjiptianë dhe një grua tuniziane u arrestuan, sipas shefit të policisë Costantino Scudieri, i cili foli për agjencinë e lajmeve Reuters.

Të dyshuarit akuzohen se i përkasin një organizate kriminale të përfshirë në nxitjen e emigracionit të paligjshëm.

Në këtë operacion ndërkombëtar oficerët italianë bashkëpunuan me kolegë nga Belgjika, Gjermania, Austria dhe Franca, si dhe agjencitë e BE-së dhe ShBA-së.

Hetuesit dokumentuan pesë ulje të veçanta në Itali, Gjermani, Francë, Austri dhe Belgjikë midis tetorit dhe dhjetorit 2020.

Policia belge ka sekuestruar edhe dy avionë privatë, me vlerë 426 mijë euro, në kuadër të hetimeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vetura e presidentit rus, Vladimir Putin thuhet se është “sulmuar”…