Arrestohet ish-ministri Lefter Koka

14 dhjetor 2021 | 13:08

Policia ka arrestuar ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka. “Tvklan.al” ka mësuar se Koka është arrestuar pas hetimeve nga SPAK për dosjen e inceneratorëve.

Arrestimi është bërë me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar pas kërkesës nga SPAK-u. Lidhur me këtë hetim janë lëshuar dhe disa urdhër-arreste të tjera.

Për ish-ministrin rëndojë tre akuza, “shpërdorim detyre”, “korrupsion” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Kush është Lefter Koka?

Lefter Koka ka lindur në Durrës në vitin 1964. Karriera e tij politika ka nisur në vitin 2003, ku u zgjodh kreu i Bashkisë së Durrësit, duke e mbajtur këtë post për një mandat të plotë. Në këtë kohë ai ka mbajtur dhe detyrën e anëtarit të Këshillit të Qarkut të Durrësit.

Më pas karriera e tij vijon në politikën kombëtare, ku zgjidhet deputet në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2009, nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në vitin 2013 u zgjodh sërish deputet duke përfaqësuar sërish këtë parti në qarkun e Durrësit.

Gjatë viteve 2013-2017, Koka ka mbajtur postin e ministrit të Mjedisit. Në vitin 2017 Koka u rizgjodh sërish deputet në qarkun e Durrës, nën siglën e LSI.

Ndërsa në vitin 2021, ai kandidoi me Partinë Socialiste ku arriti të merrte mandatin, por nuk e ushtroi këtë detyrë pasi dha dorëheqjen ende pa u betuar në Kuvend.

Në jetëshkrimin e tij të depozituar në Kuvend gjatë kohës që ka qenë deputet, Koka ka deklaruar se ka kryer Fakultetin Ndërkombëtar të Shkencave Juridike në Strugë dhe është njohës shumë i mirë i gjuhës italiane dhe asaj angleze.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Procesi gjyqësor në Gjykatën Speciale ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare…