Arrestohet personi që përplasi automjetin afër Shtëpisë së Bardhë

23 maj 2023 | 15:04

Një person që përplasi një automjet afër portave të Shtëpisë së Bardhë, po përballet me akuza të shumta penale, ka njoftuar policia amerikane.

Autoritetet amerikane kanë deklaruar se ka gjasa që incidenti të ketë qenë i qëllimshëm.

Sipas njoftimit të policisë amerikane, i dyshuari po akuzohet për kërcënim me vrasje, rrëmbim apo shkaktim i lëndimeve ndaj presidentit, nënpresidentes apo familjarëve të tyre. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e të dyshuarit.

I dyshuari është arrestuar pas incidentit që ndodhi të hënën mbrëma, ka thënë Shërbimi Sekret amerikan, duke shtuar se nuk ka ndonjë rrezik pas kësaj ngjarjeje.

Sipas një dëshmitari që ka folur për “Reuters”, automjeti, që i dyshuari kishte marrë me qira është përplasur në rrethojat e sheshit “Lafajet”, që gjendet pranë Shtëpisë së Bardhë. Hetuesit i kanë gjetur të dyshuarit një flamur me simbole naziste.

“Sipas hetimeve të para, shoferi mund të ketë përplasur qëllimshëm automjetin në rrethojat e sheshit ‘Lafajet’”, ka shkruar në “Twiter” zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi.

I arrestuari po ashtu po përballet me akuza të sulmit me armë të rrezikshme, dëmtim të pronës private dhe drejtim të pakujdesshëm të automjetit.

Televizioni “WUSA” ka transmetuar një video të policisë duke iu afruar një automjeti të tipit “U-Haul”. Në video shihet se si dera e këtij automjeti hapet nga një robot i telekomanduar.

Chris Zaboji, i cili ishte dëshmitar i kësaj ngjarjeje, ka publikuar një video të shkurtër në mediet sociale, që tregonte momentin kur automjeti u përplas për rrethoja.

“Shikova pas dhe pashë automjetin duke u përplasur në barrikadë”, ka thënë ai, duke shtuar se më pas automjeti u përplas sërish për rrethojat e sheshit.

Vendndodhja e saktë e presidentit amerikan, Joe Biden, në momentin e incidentit, që ka ndodhur pak para orës 22:00, nuk dihet. Ai ishte takuar më parë me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Kevin McCarthy, në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje./REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori për Sport në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova ka…