Arrihet marrëveshja për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’

13 dhjetor 2017 | 14:21

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e Komitetit drejtues për termocentralin “Kosova e Re”.

Në këtë takim ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e kompanisë amerikane “Contour Global”, është arritur marrëveshja për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

“Marrëveshja komerciale pritet që të nënshkruhet ditët e ardhshme dhe me të në Kosovë do të investohen mbi 1 miliard euro, gjë që paraqet investimin më të madh në historinë e re të Kosovës. Pas finalizimit, ky projekt do të sigurojë pavarësinë energjetike për shtetin dhe popullin e Kosovës”, është thënë në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Termocentrali do të ndërtohet me një bllok të vetëm superkritik, me efiçiencë minimum 40 për qind dhe kapacitet elektrik bruto prej 500 MW. Me komponentin e koogjenerimit për ngrohjen qendrore, do të ketë kapacitete shumë më të mëdha për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes për qytetin e Prishtinës, Obiliqit, Drenasit dhe Fushë Kosovës.

Termocentrali i ri do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018 dhe do të jetë funksional që nga viti 2023, do të jetë i ndërtuar me fjalën e fundit të teknologjisë dhe në këtë mënyrë do të reflektojë në uljen e emetimit të gazrave, respektivisht në ruajtjen e mjedisit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbi 7 milionë euro ka përfituar Kosova për promovim të…