Arrijnë në Kosovë mbi gjysmë milioni vaksina

06 shtator 2021 | 16:18

Kosova ka pranuar të hënën 556 920 doza të vaksinës “Pfizer” kundër koronavirusit. Lajmin e ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.

“Prej këtij kontigjenti, 503 100 doza janë pjesë e donacionit të ShBA për Kosovën, të cilat në Kosovë kanë arritur përmes mekanizmit ‘COVAX’, ndërsa 53 820 doza të tjera janë nga marrëveshja bilaterale për vaksina kundër Covid-19 midis Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) dhe kompanisë ‘Pfizer’. Me arritjen e këtyre vaksinave dhe atyre që MSh i ka në stok, procesi i vaksinimit në masë kundër Covid-19 do të fuqizohet edhe më tej, me qëllim të arritjes së objektivit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vaksinimin e 60 për qind të popullatës sipas Planit shtetëror të vaksinimit.Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të grup-moshës mbi 16 vjeçe sikurse edhe kategorisë së fëmijëve të moshës prej 12-15 vjeç me indikacione mjekësore,  që të vaksinohen, si mënyra më adekuate për t‘u mbrojtur dhe për të frenuar përhapjen e Covid-19”, ka njoftuar MSh-ja, duke i bërë thirrje grave shtatzëna që të vaksinohen.

“Në mënyrë specifike, MSh u bën thirrje grave shtatzëna që të vaksinohen sikurse edhe nënave gjidhënëse gjithashtu, duke qenë që nuk ka asnjë dëshmi shkencore që vaksinimi kundër COVID-19 shkakton probleme për shtatzënësinë apo të lidhura me fertilitetin,  ka njoftuar MSh-ja.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se me arritjen e këtyre vaksinave, imunizimi në masë kundër Covid-19 do të përshpejtohet “me qëllim të arritjes së objektivit të Qeverisë për vaksinimin e 60 për qind të popullatës sipas Planit shtetëror të vaksinimit”.

Më 1 shtator, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pati njoftuar se 133 234 doza të vaksinës “AstraZeneca “kundër koronavirusit janë hequr nga përdorimi, për shkak të skadimit të afatit.

Vaksinat kanë qenë pjesë e një donacioni nga Norvegjia.

Numri i qytetarëve të Kosovës të vaksinuar me nga dy doza të vaksinës kundër koronavirusit ka arritur në 315 880. Numri total i vaksinave të administruara është 934 956.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Greqisë nëpërmjet një shkrese të drejtuar…