Arrin në Ferizaj donacioni 25 mijë eurosh për personat me nevoja të veçanta

09 shtator 2019 | 17:54

Komuna e Ferizajt ka theksuar se qasja e qeverisjes lokale për personat me nevoja të veçanta ka njohur së fundmi një stad avancimi në marrëdhëniet dypalëshe.

Si rezultat i bashkëpunimit në mes të Komunës së Ferizajt dhe shoqatës së personave me nevoja të veçanta “Hendifer” në Ferizaj, personat me nevoja të veçanta në këtë komunë kanë arritur të përfitojnë donacion në pajisje dhe teknikë nga Gjermania në vlerën 25 mijë euro. Ky donacion përfshin 122 karroca për invalidë, 12 biçikleta për invalidë dhe gjashtë shtretër.

Donacioni në fjalë nga “Selaam” nëpërmjet shoqatës “Hendifer” do të shpërndahet te qytetarët në nevojë në Komunën e Ferizajt.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se, përveç asistencës së ofruar në transportin dhe procedurat e tjera të pranimit të donacionit, ka siguruar edhe depon ku janë të vendosura këto pajisje.

Ndërsa drejtuesit e shoqatës “Hendifer” janë ndarë të kënaqur me këtë mbështetje, duke thënë se kjo ndihmë është më se e nevojshme për qindra qytetarë me nevoja të veçanta.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë në bashkëpunim me kompaninë…