Vazhdon ndarja e shportave për mbeturina të riciklueshme në Drenas

09 shtator 2019 | 17:54

Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë në bashkëpunim me kompaninë “Pastrimi”, të përkrahur nga GIZ-i dhe GAC-i, kanë vazhduar me pajisjen dhe plotësimin me shporta për ndarjen e mbeturinës së riciklueshme në burim në zonën pilot në Komunën e Drenasit.

Skema e grumbullimit të ndarë do të vijojë në ditët të veçanta përmes kompanisë publike “Pastrimi” për t’u dërguar në qendrën e transferimit.

“Shportat 240L janë shpërndarë në ekonomi familjare dhe biznese dhe kanë për qëllim ruajtjen e mjedisit dhe zvogëlimin e sasisë së mbeturinave në deponi. Ky projekt për riciklim të mbeturinave në burim do të vazhdojë edhe në lokacione të tjera të Komunës së Drenasit, duke përfshirë të gjitha vendbanimet e territorit të Drenasit. Deri më tani në këtë projekt janë përfshirë të gjitha institucionet e Komunës së Drenasit, duke përfshirë edhe institucionet arsimore/shkollat, shumica prej zonave urbane dhe disa lagje në fshatra”, ka njoftuar Komuna e Drenasit.

Kjo komunë, pas shtrirjes qind për qind të grumbullimit të mbeturinave në të gjitha vendbanimet, tani është duke e implementuar projektin e riciklimit të ndarjes së mbeturinave në burim. Ky është një projekt i cili do të ndikojë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e ambientit, veçanërisht në eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një kontingjent i Forcës së Sigurisë të Kosovës, me personel…