Arsenali dhe limitet ushtarake të Hamas-it

13 maj 2021 | 17:56

Vdekjet, dëmet dhe vuajtjet janë shkaktuar te të dyja palët, por përplasja e radhës mes militantëve të Hamas në Rripin e Gazës dhe Izraelit tregon sërish se ajo mbetet një luftë jashtëzakonisht asimetrike.

Izraeli është superior me forcën e tij ajrore, avionët pa pilotë të armatosur dhe sistemet e mbledhjes së inteligjencës, që i mundësojnë të godasë objektivat në Gaza gati sa herë të dojë dhe kur të dojë. Tel Avivi këmbëngul se shënjestrat e tij janë të kufizuara në vendet e përdorura për qëllime ushtarake nga Hamas, por dendësia e popullsisë palestineze dhe fakti që Hamas dhe objektet e Xhihadit Islamik janë të vendosura afër dhe shpesh të fshehura nën ndërtesat civile, e bën të pamundur shmangien e viktimave civile.

Hamasi dhe Xhihadi Islamik, megjithëse dukshëm më të dobët se forca që kanë përballë, kanë një arsenal armësh të larmishme me të cilat mund të sulmojnë Izraelin. Ata tashmë kanë provuar një larmi taktikash. Mbrojtjet izraelite rrëzuan një dron – ndoshta të armatosur – që kishte kërkuar të kalonte në Izrael nga Gaza dhe një zëdhënës ushtarak izraelit tha se një “njësi elitare e Hamasit” ishte përpjekur të infiltronte në Izrael përmes një tuneli nga pjesa jugore e Rripit të Gazës. Ushtria izraelite, me sa duket, kishte paralajmëruar paraprakisht për këtë dhe sipas zëdhënësit shpërtheu tunelin.

Por, arma kryesore në arsenalin e Palestinezëve është shumëllojshmëria e raketave tokë-tokë. Disa prej tyre (së bashku me sistemet e tjera t si raketat e drejtuara Cortet anti-tank të përdorura gjatë ditëve të fundit) besohet se janë kontrabanduar përmes tuneleve nga Gadishulli i Sinait në Egjipt.

Arsenali dhe limitet ushtarake të Hamas

Por deri tani pjesa më e madhe e arsenaleve të Hamasit dhe Xhihadit Islamik vijnë nga një aftësi prodhuese dinamike dhe relativisht e sofistikuar brenda vetë Rripit të Gazës. Ekspertët të huaj dhe izraelitë besojnë se njohuritë dhe ndihma iraniane kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen e kësaj industrie. Prandaj, vendet e prodhimit dhe magazinimit të armëve kanë qenë në mesin e shënjestrave kryesore të sulmeve izraelite.

Vlerësimi i rezervave të raketave Hamas është i pamundur. Besohet se përfshin me mijëra armë me rreze të ndryshme. Ushtria izraelite ka vlerësimet e veta që nuk është e gatshme t’i ndajë. Gjithçka që një zëdhënës do të thoshte ishte se ata besonin se Hamasi mund të mbante këtë nivel zjarri lëshimi raketash në Izrael për “një periudhë të konsiderueshme kohe”.

Palestinezët janë duke përdorur një larmi raketash, asnjëra prej tyre, deri më tani, nuk duket të jetë veçanërisht e re për sa i përket dizajnit bazë. Por, tendenca e përgjithshme është që armët të kenë rreze më të zgjeruar veprimi dhe aftësi transportimi të më shumë sasie lënde shpërthyese.

Ndërsa emrat dhe emërtimet e raketave specifike mund të jenë paksa konfuze, Hamasi ka një inventar të madh të sistemeve me rreze më të shkurtër si Qassam (deri në 10 km) dhe Quds 101 (deri në rreth 16 km); mbështetur nga sistemi Grad (deri në 55 km) dhe Sejil 55 (deri në 55 km). Këto përbëjnë bërthamën e inventarit të raketor të Hamasit.

Por, Hamas operon gjithashtu një larmi sistemesh me rreze më të gjatë si M-75 (deri në 75 km); Fajr (deri në 100 km); R-160 (deri në 120 km) dhe disa M-302, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 200 km. Pra është e qartë që Hamasi ka armë që mund të synojnë Jeruzalemin dhe Tel Avivin dhe kërcënojnë të gjithë brezin bregdetar që përmban dendësinë më të madhe të popullsisë së Izraelit dhe infrastrukturën kritike të tij.

Ushtria izraelite thotë se nga më shumë se 1.000 raketa të hedhura në Izraeli gjatë tre ditëve të fundit, rreth 200 kanë rënë brenda vetë Rripit të Gazës, një tregues i problemeve të një procesi të prodhimit “në shtëpi” të këtyre raketave.

IDF gjithashtu thotë se 90% e të gjitha raketave që kanë hyrë në Izrael janë rrëzuar nga sistemi i tyre anti-raketa “Kupola e Hekurt”. Në një rast, bateria e Kupolës së Hekurt që mbron qytetin e Ashkelon ka qenë jashtë linje për shkak të një mosfunksionimi teknik, duke nxjerrë në pah se Izraeli nuk mund të flejë i qetë edhe pse ka sistemin anti-raketor që konsiderohet si më i zhvilluari në botë.

Mundësitë e kundërpërgjigjes izraelite janë të kufizuara, nga vazhdimi i bombardimeve nga ajri dhe rrëzimi i raketave të Hamas nga “Kupola e Hekurt”, deri te ndërhyrja tokësore në Gaza për të shtyrë më në thellësi të Rripit bazat e Hamas të lëshimit të raketave.

Por, ndërhyrja tokësore ka kosto. Palestinezët nuk kanë se ku të tërhiqen dhe ashtu siç u tregoi konflikti i 2014-ës, kostoja njerëzore do të ishte e konsiderueshme. Gjatë operacionit tokësor të atij viti 2,251 palestinezë, duke përfshirë 1,462 civilë u vranë, ndërsa në anën izraelite u vranë 67 ushtarë dhe gjashtë civilë.

Ky cikël i ri i luftës me raketa nuk zgjidh asgjë. Në rastin më të mirë, blen një periudhë qetësie para se të fillojë raundi tjetër. Shumë mund të argumentojnë se ishin tensionet në Jeruzalem ato që filluan këtë episod të veçantë. Një sinjal edhe një herë se mosmarrëveshja Izrael-Palestinez nuk mund të injorohet

Por me gjithnjë e më shumë qeveri arabe që bëjnë paqen me Izraelin; me palestinezët politikisht të ndarë si kurrë më parë dhe me këtë çështje që është larg axhendës së udhëheqjes aktuale të Izraelit, është e vështirë të shihet se si mund të bëhet ndonjë përparim drejt një paqeje të vërtetë mes dy palëve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë ka bërë…