Arsimi shqip në Vilajetin e Kosovës (1878–1912): midis politikës osmane dhe vetëdijes kombëtare shqiptare
Shkruan: Sylë Ukshini
Kisha kënaqësinë që të shtunën, më 23 maj 2026, të merrja pjesë në konferencën shkencore “Shkolla e hershme shqipe dhe sfidat e arsimit sot”, të organizuar nga Instituti Akademia Stublla. Në këtë konferencë referova temën: “Arsimi shqip në Vilajetin e Kosovës (1878–1912): midis politikës osmane dhe vetëdijes kombëtare shqiptare”, në të cilën trajtova dinamikat e zhvillimit të arsimit shqip në Vilajetin e Kosovës gjatë periudhës 1878–1912.
Arsimi përbënte një nga proceset më të rëndësishme të formimit të vetëdijes kombëtare shqiptare në fund të sundimit osman. Në një hapësirë të karakterizuar nga pluralizmi fetar, rivalitetet politike dhe ndërhyrjet e fuqive të jashtme, arsimi nuk kishte vetëm funksion pedagogjik, por u shndërrua edhe në instrument të emancipimit kulturor, afirmimit gjuhësor dhe artikulimit të projektit kombëtar shqiptar.
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Perandoria Osmane vazhdonte ta konceptonte arsimin si mekanizëm të ruajtjes së rendit imperial dhe të identitetit osmano-islamik. Për pasojë, përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet arsimore mbeti i kufizuar dhe shpeshherë i ndaluar, ndërsa sistemi arsimor organizohej kryesisht mbi baza fetare, në kuadër të sistemit të miletit. Në këto rrethana, shqiptarët mbetën pa një rrjet të konsoliduar shkollor në gjuhën amtare, ndërkohë që arsimi u shndërrua edhe në fushë rivaliteti ndërmjet politikave osmane, propagandës së shteteve fqinje ballkanike dhe interesave të fuqive evropiane në rajon.
Megjithatë, proceset reformuese të Tanzimatit, Revolucioni Xhonturk i vitit 1908 dhe sidomos Kongresi i Manastirit krijuan kushte të reja për zgjerimin gradual të arsimit shqip dhe të aktivitetit kulturor shqiptar. Në këtë periudhë, shkollat shqipe, bibliotekat, shtypshkronjat dhe gazetat në gjuhën amtare filluan të luanin rol të rëndësishëm në përhapjen e shkrim-leximit dhe në ndërtimin e një vetëdijeje të re kombëtare. Veçanërisht, përdorimi i alfabetit latin dhe përpjekjet për futjen e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore osmane shënuan një kthesë të rëndësishme në procesin e afirmimit kulturor dhe politik të shqiptarëve.
Në këtë kontekst, rol të rëndësishëm luajtën edhe institucionet arsimore katolike shqiptare, të cilat, përveç funksionit fetar, u shndërruan në qendra të ruajtjes së gjuhës shqipe dhe të përhapjes së ideve të Rilindjes Kombëtare. Paralelisht, edhe një pjesë e shkollave osmane, sidomos idadijet dhe shkollat pedagogjike, gradualisht u bënë hapësira të formimit të elitës së re intelektuale shqiptare, e cila do të luante rol të rëndësishëm në zhvillimet politike dhe kombëtare të fillimshekullit XX.



