As kryeministri i tashëm e as pararendësit s’kanë treguar vullnet për ta luftuar korrupsionin

28 tetor 2020 | 10:55

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se askush nuk duhet të pajtohet pse u prish një Taskë Forcë pa një raport që e arsyeton shpërndarjen e saj, por edhe ata që po e mbrojnë duhet të na i tregojnë sukseset e Taskë Forcës së shpërndarë në luftën ndaj korrupsionit?!

“Cilat janë sukseset e saja?”, ka pyetur Krasniqi, raporton “Epoka e re”.

“Për punën që kanë bërë, a i kanë merituar parat që i kanë marrë deri tani nga buxheti i tatimpaguesve tanë? Dhe cilat janë arsyet për t’u ribërë ajo? Ata që janë marrë vesh të qeverisin e mos të na dërdëllisin, se nuk po u kanë hije dërdëllitjet”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

“Në anën tjetër, të gjithë duhet ta dinë se kryeministri nuk është për ta luftuar korrupsionin, por për të qeverisur me vendin, për ta zhvilluar e krijuar një jetë të dinjitetshme për qytetarët, për ta përfaqësuar kudo me dinjitet shtetin e kombin. Kurse, krimin e korrupsionin duhet që ta luftoj sistemi i drejtësisë, qoftë i korruptuari edhe kryeministër, e të cilën gjë sistemi i drejtësisë nuk është duke e bërë. Dhe kjo nuk ka ndodhur pa fajin e kryeministrave të deritashëm”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka theksuar se një gjë dihet, as kryeministri i tashëm e as ish- kryeministrat deri me tani nuk kanë treguar vullnet për ta luftuar korrupsionin.

“Ndërsa, ata të shkuarit nuk duhej të ishin në krye të korrupsionit me Taks Forca?! Madje ata duhet që ta dinë, se shumë qytetarë të këtij vendi nuk janë duke ngrenë bari. E dimë sesa ishin të angazhuar që ta zhvillojnë vendin, ashtu si e zhvilluan vetveten?! Sytë janë për të parë! Natyrisht, kush dëshiron të sheh pa syze”.

“Shkurt: Korrupsioni luftohet nga vullneti i partive politike, kur ato vendosin me e bërë shtetin shtet, pa u përzier të sistemin e drejtësisë. Ndërsa ato, partitë politike shqiptare i kanë zgjedhur “armiqësitë” mes veti për të punuar “siç donë vet, që askush mos t’i nget”?! Miq, ju lutem kursena nga përrallat e gjata me shumë mbretër”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Masat parandaluese të pandemisë Covid-19 shkaktuan rënien më të lartë…