Unazën e Prishtinës, projektin që Rama e akuzoi Qeverinë se po ia bllokonte, Kurti e fut te investimet madhore kapitale të vitit 2027
Kryeministri Albin Kurti ka treguar për projektet që parasheh Qeveria t’i bëjë me buxhetin e ri për vitin 2027.
“Ky buxhet do të jetë buxhet i investimeve madhore kapitale. Për herë të parë, buxheti parasheh mbi 1 miliardë euro vetëm në kategorinë e investimeve kapitale. Këtu përfshihet ndërtimi i rrugëve të reja, siç janë Unaza e Jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël-Banullë që bashkon dy autostradat, autoudha e Dukagjinit, dhe shumë rrugë tjera rajonale e nacionale”, tha Kurti.
Unaza e Jashtme e kryeqytetit do ta zgjidhte problemin e trafikut të dendur në kryeqytet, sipas kryetarit Përparim Rama, i cili thoshte se s’mundte ta realizonte atë vetëm për shkakun që qeveria e Albin Kurtit nuk po ia mundësonte marrjen e një kredie në BERZH.
Ky projekt ishte premtimi kryesor në fushatën e parë zgjedhore të Ramës, arkitektit që kishte ardhur nga Londra për t’i zgjidhur disa probleme në kryeqendrën e Kosovës. Projekti do të ishte realizuar, sipas tij, po të mos e bllokonte Qeveria. Thoshte se prej vitesh po kërkonin vetëm një “tick” nga Ministria e Financave për t’ia lejuar komunës marrjen e një kredie të butë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të cilën ai thoshte se kryeqyteti do të mund ta paguante vetë për 10-15 vjet. Garancioni nga qeveria nuk erdhi.
Unaza që do të përfshinte 29 kilometra rrugë të jashtme të kryeqytetit, do të ishte projekti më i madh në historinë e Prishtinës.



