Dy persona ndalohen në Zubin Potok, policia ua gjen katër armë zjarri në veturë

01 nëntor 2026 | 23:52

Dy persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës në fshatin Gazivod të Zubin Potokut, pasi gjatë kontrollit të automjetit me të cilin po udhëtonin janë gjetur katër armë zjarri.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 1 nëntor, rreth orës 16:15, kur zyrtarët policorë kanë ndaluar për kontroll rutinor një veturë me targa vendore.

Gjatë kontaktit me policinë, drejtuesi i automjetit, i lindur më 1993, ka deklaruar se posedonte armë të cilat, sipas tij, i kishte gjetur në një thes, disa metra larg vendit ku ishte ndaluar vetura. Në automjet ndodhej edhe një pasagjer i lindur më 1973.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar katër armë zjarri, një AK-47 dhe tri armë të tipit M-48.

Me urdhër të prokurorit, policia ka kontrolluar edhe adresat e banimit të dy të dyshuarve në Mitrovicë të Jugut, por aty nuk është gjetur ndonjë send i kundërligjshëm.

Të dy personat janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.

Rasti po hetohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ismet Sylejmani Fiton garën për Kryetar të Komunës së Bërvenicës,…