Reagim ndaj institucioneve: Brigjet e lumit Erenik në gjendje alarmante, shteti dhe institucionet heshtin!
Kështu duken brigjet e lumit Erenik, nga Juniku, përgjatë rrjedhës së tij deri në komunën e Gjakovës. Një pamje e rëndë dhe shqetësuese, që dëshmon për ndotjen e pakontrolluar dhe mungesën e kujdesit ndaj mjedisit.
Përveç mbeturinave të shumta, shtrati dhe brigjet e lumit janë mbushur me mbetje ndërtimore, si inerte, beton, dyer e dritare, blloqe, tjegulla, plastikë e materiale të tjera që po e shndërrojnë këtë pasuri natyrore në një deponi të hapur.
A thua, deri kur do të vazhdojë kjo gjendje?
Ku janë institucionet përgjegjëse? Ku është Komuna e Gjakovës? Ku është Ministria e Mjedisit? Kush po e mbikëqyr mbrojtjen e lumenjve dhe kush po i ndëshkon ata që i shndërrojnë në deponi mbeturinash?
Është e papranueshme që një lumë dhe një pasuri natyrore e kësaj treve të shkatërrohet para syve të të gjithëve, ndërsa institucionet të mos ndërmarrin masa konkrete.
Nuk mjaftojnë deklaratat dhe premtimet për mbrojtjen e mjedisit. Nevojiten inspektime, identifikim i ndotësve, gjoba dhe veprime urgjente për pastrimin dhe mbrojtjen e lumit Erenik.
Ereniku nuk është deponi mbeturinash! Është pasuri natyrore që duhet mbrojtur. Heshtja e institucioneve përballë kësaj gjendjeje është e papranueshme.
Shteti dhe institucionet përgjegjëse duhet të zgjohen nga kjo papërgjegjësi, para se dëmi të bëhet edhe më i madh!



