AShAK-u, Qeverisë: Lëre dialogun, merru me pandeminë

06 gusht 2020 | 12:03

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka bërë me dije se është duke ndjekur me shqetësim situatën e krijuar në vend nga pandemia Covid-19.

Përmes një komunikate për medie, AShAK ka vlerësuar se në këtë situatë kanë dështuar jo vetëm institucionet e shëndetit publik. “Kjo situatë e ka bërë Kosovën vend i izoluar, në të cilin kanë dështuar jo vetëm institucionet e shëndetit publik, të rendit dhe të ligjit dhe të mirëmbajtjes së shoqërisë, por edhe vetëdija qytetare, përgjegjësia kolektive dhe vlerat e emancipimit shoqëror. Tashmë jemi dëshmitarë se situata me pandeminë COVID-19 në Kosovë ka dalë jashtë kontrollit, se gjendja e prezantuar dhe e njohur publikisht nuk i përgjigjet situatës reale, e cila është shumë më e rëndë, është e padetektuar, e padeklaruar, ose është duke u fshehur qëllimisht. Është e qartë se sistemi shëndetësor i Kosovës ka dështuar në të gjithë përbërësit e tij, duke filluar nga kuadri profesional i nënçmuar dhe i nënvlerësuar dhe deri te ndërhyrja e vazhdueshme politike në menaxhment dhe operativë mjekësore dhe shëndetësore”, është thënë në komunikatën e akademisë.

Sipas AShAK-ut, e  gjithë klasa politike, të gjitha qeveritë e pasluftës janë përgjegjëse për gjendjen e krijuar dhe nuk i amniston as koha e shkurtër apo e gjatë, as koha e largët ose e afër e qeverisjes. “Duke e parë këtë gjendje, ASHAK konsideron se në këtë rrethanë klasa politike e Kosovës duhet të tregojë përgjegjësi, duke i përqendruar të gjitha resurset politike dhe institucionale për menaxhimin e situatës së pandemisë, se ata duhet t’i ulin tensionet dhe konfliktet e ndërvetshme, të gjejnë minimumin e konsensusit dhe të mos i përdorin konfliktet politike si mënyrë për të qëndruar në pushet. Situatën e emergjencës kombëtare duhet ta ndjejnë të gjithë, në rend të parë bartësit e institucioneve më të larta të vendit, sepse atyre iu bie përgjegjësia kryesore për gjendjen e krijuar”, ka vlerësuar AShAK-u.

Sipas akademisë, në këto rrethana Kosova nuk duhet ta këtë prioritet dialogun me Serbinë, por tejkalimin e situatës së pandemisë. “ASHAK gjithashtu konsideron se Kosova në këtë rrethanë nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë, sepse ai është duke u përdorur për të mbajtur në pushtet individë dhe politika recidiviste dhe për të zhvendosur vëmendjen e opinionit në çështje anësore për Kosovën. Kosova nuk e ka asnjë emergjencë të merret me dialogun në rrethana të këtilla dhe nuk ka asnjë arsye që ta bëjë dialogun çështje të preokupimit themelor të institucioneve shtetërore. Të gjitha kapacitetet shtetërore dhe politike duhet t’i përqendrojë në tejkalimin e situatës së pandemisë”, është thënë në komunikatë.

ASHAK-u ka ftuar qytetarët të mos përfshihen nga mungesa elementare e vetëdijes dhe e vigjilencës, duke shtuar se shteti dhe institucionet e Kosovës nuk do të jenë në gjendje t’u dalin në ndihmë të gjithë atyre që do të kenë nevojë për të.

(M.K / Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASh), Ramë Likaj, ka marrë…