Nga Baku drejt Orlandos: Hamit Krasniqi kualifikohet për gara ndërkombëtare në matematikë në SHBA
Një talent i ri nga Kosova po përgatitet për një tjetër sfidë ndërkombëtare në fushën e matematikës, por për ta realizuar këtë mundësi i nevojitet mbështetje financiare.
Hamit Krasniqi, pas pjesëmarrjes së suksesshme në garat ndërkombëtare të matematikës në Baku të Azerbajxhanit, tashmë ka marrë ftesën për të marrë pjesë në Olimpiadën Ndërkombëtare NEO Science, që do të mbahet në Orlando të Floridës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugëtimin akademik të Hamitit, i cili përmes përkushtimit dhe talentit të tij po synon ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Megjithatë, pjesëmarrja në këtë garë kërkon mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit, akomodimit dhe kostove të tjera organizative.
Familja dhe mbështetësit e Hamitit u bëjnë thirrje institucioneve publike, bizneseve, fondacioneve dhe bashkatdhetarëve që të kontribuojnë në realizimin e këtij udhëtimi.
Mbështetja e talenteve të reja nuk duhet të fillojë vetëm pasi ata të fitojnë medalje. Ajo duhet të jetë e pranishme edhe në momentin kur u hapet mundësia për të garuar.
Kosova ka talente. Tani është koha t’u krijojmë mundësi!
Të gjithë ata që kanë informacione për mundësi sponsorizimi apo institucione që mbështesin talentet e reja mund të ndihmojnë duke ofruar kontakte dhe mbështetje konkrete.



